Kanë kaluar 23 vite që nga ekzekutimi i bujshëm me armë të gazetares britanike të BBC, Jill Dando. Disa dokumente të zbuluara së fundmi në një gjykatë në Paris pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e vërteta të ngjarjes.
Një manjat francez i modës, ndaj të cilit rëndojnë një sërë akuzash për sulme seksuale, punësoi një vrasës me pagesë rus për të eleminuar prezantuesen Lisa Brinkworth, për shkak të shkrimeve që kjo e fundit kishte bërë në adresë të tij – ku ekspozonte ngacmimet seksuale që kishte marrë gjatë kohës që punonte në fshehtësi për të nxjerrë në dritë zullumet që ndodhnin në agjencinë e tij.
Vrasësi mund të ketë ngatërruar objektivin e vërtetë duke pasur parasysh ngjashmëritë e habitshme në pamjen dhe profesionin e tyre, si dhe faktin që ato jetonin në të njëjtën pjesë të Londrës, argumentojnë avokatët. Avokatët gjithashtu vënë në dukje se i fejuari i zonjushës Dando, Alan Farthing, ishte mjeku i zonjushës Brinkworth.
Dando u qëllua në pragun e shtëpisë së saj në Fulham, në perëndim të Londrës, në vitin 1999 dhe megjithëse përndjekësi Barry George u dënua në vitin 2001, ai u lirua më vonë dhe hetimi mbetet i hapur.
Në dokumente, avokatët i referohen një bisede të dëshmuar nga ish-shefi ekzekutiv i Elitës, Omar Harfouch, në të cilën Marie urdhëroi një anëtar të mafies ruse të “merrej me një problem”.
“Menjëherë pas kësaj… një gazetare e BBC-së, Jill Dando, u qëllua për vdekje në prill 1999”, thuhet në dokumentet nga firma ligjore franceze.