Kronike 1 Shkurt 2023, 11:07

Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit” në Tiranë, arrestohet në Kosovë një prej autorëve

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit” në Tiranë,

Gjelosh Krasniqi, i dyshuar për vrasjen e Briken Sanaj që ndodhi vitin e kaluar në “Kodrën e Diellit” në Tiranë, është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Pejë.

Po ashtu, është arrestuar edhe personi i cili e kishte ndihmuar që të strehohej në një fshat të Pejës.

Kështu ka bërë të ditur Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Mbrëmë nga puna operative është arritur të arrestohet një person (me urdhër arrest ndërkombëtar) i cili dyshohet se ka qenë i përshirë vitin e kaluar për një vrasje në Shqipëri. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari Gj.K., është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj tij do parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit. Për procedurat e mëtutjeshme rreth këtij rasti ju lutem i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë.Po ashtu është arrestuar edhe personi i cili e ka ndihmuar që të strehohet në një fshat të Pejës. I njëjti është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Nikçi.

Vrasja e Briken Sanajt ka ndodhur në orët e vona të natës së 30 tetorit, ku viktima 39-vjeçar sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë.

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Pasi kishte mbaruar dasma në Lezhë, ai së bashku me të afërmit e tij kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti.

Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë, vetëm pak ditë para se të ndodhte atentati. Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje.

Kronike #Vrasja te “Kodra e Diellit” në Tiranë arrestohet autori