
Gjykata e ka dënuar me 15 vite burg dhëndrin e kryebashkiaku të Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili vrau me armë zjarri shokun e tij.
Në vitin 2020, mbeti i vrarë Florian Lamçe dhe në pranga ranë Sokol Sanxhaktari, dhëndri i Sejdinit, si dhe Adriano Hajdari, i cili ka pasur rol ndihmues në krim.
Gjykata e Apelit në Durrës ka marrë sot vendim të formë së prerë, duke dënuar Saxhaktarin me 15 vite burgim, ndërsa shokun e tij Adriano Hajdari me 8 vite burgim. Por të dy përfitojnë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Përfundimisht, Sanxhaktari do të vuajë vetëm 10 vite nga dënimi i marrë, kurse Hajdari do të qëndrojë pas hekurave 5 vite e 4 muaj.
Vendimi i Apelit vjen pas dënimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, e cila dha dënimin me 18 vite burg për Sanxhaktarin e Hajdarin, me kusht që të mos përfitojnë lirim me kusht. Po ky vendim u Apelua.
Ngjarja ndodhi në një lokal në Elbasan. Sipas dosjes së prokurorisë, Florian Lamçja dhe Sokol Sanxhaktari nuk flisnin prej kohësh bashkë, por ky i fundit ia kishte gjetur numrin ish-shokut përmes një gruaje duke i telefonuar disa herë më datë 30 korrik.
Një dëshmitar ka treguar se gjatë natës, Sanxhaktari dhe Lamçja nxorën pistoletat duke qëlluar disa herë në ajër.
Miku i viktimës thotë më tej, se në rreth orës 04:00 të mëngjesit, Lamçja i kërkoi të pranishmëve që të njoftonin vëllain e tij.
Miku i Lamçjas ka tentuar të lidhet në telefon me vëllain e tij, por ai ishte në gjumë. Më tej, miku i viktimës sqaron se një moment doli nga lokali edhe pse Sanxhaktari nuk e lejonte dhe po merrte ajër.
“Dëgjova një zhurme te madhe kur po kthehesha sërish në lokal. Pash Florin që ishte përtokë dhe Sanxhaktar që e godiste si i tërbuar, por nuk e shihte dot me çfarë. Ika me vrap dhe thirra vëllain e Florit dhe i tregova çfarë kishte ndodhur dhe i dorëzova telefonin”, tregoi ai.