
Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Nuk u njoftuan të gjitha palët, shtyhet seanca gjyqësore për Arbër Paplekajn
Procesi gjyqësor për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të vitit 2021 vijon të zvarritet. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga ngjarja e ndodhur në Elbasan, seancat po dështojnë njëra pas tjetrës.
Sot ishte planifikuar seanca e radhës, por ajo u shty pasi Emiljano Prenga, i cili mbeti i plagosur në vendngjarje nuk kishte marrë njoftim për seancën.
Nga ana tjetër, Mirash Martini avokati i Paplekajt ka kërkuar heqjen e çështjes nga Gjykata e Elbasanit. Ai i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Lartë dhe gjykatës së Elbasanit.
Gjykata e Elbasanit nuk mund të vendosë largimin e çështjes kështu që në lidhje me këtë kërkesë pritet të shprehet Gjykata e Lartë. Kërkesa e avokatit justifikohet me faktin që persona me rrezikshmëri të lartë të përfshirë në ngjarjen e 21 prillit në Elbasan janë ende të lire.
Ndërsa avokatja e familjes Xhuvani, Rezarta Tahiraj tha: “Procesi po zhvillohet sipas rregullave. Nuk shohim zvarritje të procesit. Do presim vendimin e gjykatës së Lartë për kërkesën e avokatit të Paplekajt për ndryshim të gjykatës. I kemi paraqitur gjykatës kërkesën për pranimin e familjes Xhuvani si palë paditëse”.
Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS-së, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.