Kronike29 Qershor 2022, 07:58

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Klodiana Lala: Në vendngjarje ishte edhe "ushtari" i Nuredin Dumanit

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Klodiana Lala: Në vendngjarje

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja nga dosja e Prokurorisë së Elbasanit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Lala thotë se në vendngjarje, ditën e krimit të bujshëm, ka qenë mes të tjerësh, edhe Gentian Sharra, i cili është arrestuar nga operacioni “Plumbi i artë”, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Gazetarja tregon gjithashtu se përplasja mes grupeve ka nisur fillimisht me sharje verbale, pastaj me konflikt fizik, duke përfunduar me përdorimin e armëve.

“Dy zv.drejtorët e policisë po qëndronin në trotuar dhe nuk reaguan me urgjencë për të sqaruar të gjitha pretendimet. Në këto momente, teksa po diskutonin me Arjan Hoxhën, kanë ardhur me tre makina shtetasit Pjerin Xhuvani, Klement XHaferi, një i skeduar më herët nga policia për ngjarjen e ndodhur në tregun agroushqimor, Luan Tabako, Marjo Cela, Marsel Rroka, Elton Bodinaku, si dhe Gentian Sharra, i arrestuar nga operacioni “plumbi i artë” pas pendesës së Nuredin Dumanit. Ata janë përplasur fillimisht me fjalë fyese e më pas fizikisht, deri në përdorimin e armëve. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se fillimisht ka pasur një përplasje nga Elton Bodinaku, që është konfliktuar dhe sharë me Erjon Demushin, pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës në PD, që ishte duke filmuar ngjarjen me telefon, dhe në këto momente është afruar ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Papleka. Pjerin Xhuvani, sipas dosjes, ka hyrë mes tyre për t’i ndarë dhe në këto momente në mbështetje të tij kanë ardhur Klement Xhaferi, Elton Bodinaku, që kanë filluar të përplasen dhe konfliktohen fizikisht me Arbën Paplekan. Në këtë moment ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit, ku Arbër Papleka ka përdoru armën që mbante me leje, duke qëlluar në drejtim të tyre, ndërkohë që në drejtim të tij kanë qëlluar dy persona, që nuk janë identifikuar ende,”, raporton gazetarja Lala.

Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, dy ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit u lanë dje në arrest shtëpie. Ata akuzohen se kanë dhënë dëshmi të rremë lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan. 6 efektivë të tjerë të Forcave ‘Shqiponja’ janë pezulluar nga detyra. Ata janë: Dedjon Duraku, Pëllumb Bicaku, Erjon Balla, Erjon Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

Kronike Nuredin Dumani Pjerin Xhuvani Vrasja në Elbasan