Udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei ka bërë thirrje për “ndëshkimin” e atyre që qëndrojnë pas vrasjes së një prej shkencëtarëve më të shquar të vendit, i cili u identifikua nga Izraeli si kryesues i një programi të fshehtë të armëve bërthamore. Të shtunën, Ajatollah Ali Khamenei bëri thirrje për “ndëshkim përfundimtar” të kujtdo që është përgjegjës për vdekjen e Mohsen Fakhrizadeh, arkitekti i strategjisë bërthamore të Teheranit. Shkencwtari u vra të premten në një autostradë pranë kryeqytetit, në një ekzekutim të planifikuar me kujdes që ka çuar në një përshkallëzim serioz të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Irani akuzoi armikun e tij kryesor, Izraelin, për kryerjen e sulmit.
Në një deklaratë, Ajatollah Ali Khamenei e quajti Fakhrizadeh “shkencëtarin bërthamor dhe mbrojtës të shquar të vendit”. “Prioriteti i menjëhershëm i Iranit,- tha ai ,- ishte ndëshkimi përfundimtar i autorëve dhe atyre që e urdhëruan vrasjen”.
Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Mohsen Fakhrizadeh, i cili drejtonte Organizatën e Inovacionit dhe Kërkimit në fushën e Mbrojtjes, pjesë e ministrisë iraniane të Mbrojtjes njohur me akronimin SPND. Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, nuk i kanë përjashtuar veprimet ushtarake për të parandaluar Iranin që të prodhojë armë bërthamore.
“Ai kishte udhëhequr më parë një program të fshehtë të armëve bërthamore që Irani nisi në fund të viteve 1980 dhe që me sa duket u braktis në 2003”, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në varësi të OKB-së.