Bota29 Prill 2022, 12:07

Vritet gazetarja e “Radio Evropa e Lirë” në Kiev

Shkruar nga Pamfleti
Vritet gazetarja e “Radio Evropa e Lirë” në Kiev

Vritet gazetarja e “Radio Evropa e Lirë” në Kiev

Gazetarja dhe producentja e Radios Evropa e Lirë, Vira Hyrych, ka vdekur si pasojë e një sulmi rus me raketë në Kiev, që ka goditur banesën ku ka jetuar ajo.

Sulmi ka ndodhur më 28 prill. Trupi i saj i vdekur është gjetur nën rrënoja në mëngjesin e 29 prillit.

Vira Hyrych ka punuar për Radion Evropa e Lirë prej vitit 2018. Paraprakisht, ajo ka punuar për kanalet televizive ukrainase.

Redaksia e Radios Evropa e Lirë ka ngushëlluar familjarët e viktimës dhe ka thënë se do ta kujtojë atë si njeri të këndshëm dhe si një profesioniste.

Si pasojë e sulmit rus të 28 prillit në Kiev, dy katet e para të ndërtesës 25-katëshe janë shkatërruar pjesërisht dhe më pas ka nisur zjarri.

Sipas autoriteteve të qytetit, katër njerëz tjerë janë dërguar në spital.

Sulmet në Kiev kanë ndodhur në ditën e njëjtë kur kryeqytetin ukrainas e ka vizituar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia ka nisur sulmet në Kiev, menjëherë pas përfundimit të takimit me shefin e OKB-së.

Ministrja ruse e Mbrojtjes ka thënë se sulmet ka qenë precize dhe kanë pasur cak një zonë të industrisë së raketave.

Autoritetet ukrainase nuk kanë raportuar për diçka të tillë./REL

Bota #Radio Evropa e Lirë gazetare Vrasje