
Vendimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiçit për tu rreshtuar krah Perëndimit, duket se po shqetëson jashtë mase Moskën. Presidenti serb ka dhënë sinjale se do të pranojë planin e BE për paqe me Kosovën, ndërkohë që paralajmëroi se mund të ketë sanksione ndaj Moskës.
Duke folur në Parlament, ai nuk e përjashtoi ndërmarrjen e masave ndaj Moskës.
“Ju thoni se jemi pro sanksioneve, por unë ju them se nuk e di, ndoshta do të na duhet. Përderisa nuk duhet, është më mirë kështu. Nuk jam i emocionuar për këtë, por nuk e di se sa mund të qëndrojmë pa vendosur sanksionet”, tha Vuçiç.
Lidhur mbi këto zhvillime ka folur sot zëdhënësi i Kremlinit, i cili ka dërguar mesazh presidentit serb që të ruajë raportet tradicionale me Rusinë. Sipas tij, Vuçiçit po i bëhet presion nga Perëndimi.
“Ne jemi të vetëdijshëm për presionin e paprecedentë ndaj të cilit është e ekspozuar lidershipi i Serbisë nga Perëndimi dhe jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e udhëheqjes serbe, e cila deri më tani ka arritur t’i rezistojë atij presioni. Ne e vlerësojmë shumë këtë qëndrim të lidershipit serb dhe shpresojmë që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë të ecin para. Raportet tona kanë rrënjë të thella historike dhe jemi të sigurt se perspektiva për të ardhmen është shumë e madhe”, tha ai.
Gazetarët i kërkuan Peskov të komentojë deklaratën e Guvernatorit të Rajonit të Kurganit, Vadim Shumkov se Serbia duhet të refuzojë hyrjen në BE dhe t’i bashkohet Rusisë në të ardhmen. Por Peskov vendosi të mos e komentojë.