Aktualitet26 Janar 2023, 17:54

Beogradi drejt distancimit final nga Putini, Daçiç paralajmëron sanksionet ndaj Rusisë

Shkruar nga Pamfleti
Beogradi drejt distancimit final nga Putini, Daçiç

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka lënë të kuptohet për të parën herë se Beogradi mund të ndryshojë kursin e ndjekur deri tani, dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, një nga kërkesat kryesore të parashtruara Serbisë nga BE-ja në mënyrë që vendi të avancojë në bisedimet e anëtarësimit me bllokun europian.

Në një intervistë ekskluzive për EURACTIV Serbia, Daçiç, një veteran i politikës së nivelit të lartë me një eksperiencë më shumë se 30 vjecare, u shpreh se Serbia- vend kandidat që nga 2012-ta, është udhëhequr në rrugën e saj vlerësimi i bërë situatave në interesin e vet më të mirë.

“Ne e dënojmë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës e kështu votuam edhe në organet ndërkombëtare. Nëse do të vendosim sanksione ndaj Rusisë është një çështje tjetër. Nuk është çështje kohe apo afatesh, është një çështje që ka të bëjë me interesat tona politike dhe ekonomike”, deklaroi ai.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka kundërshtuar me forcë sanksionimin e Moskës për ofensivën e saj në Ukrainë, duke theksuar shpesh se Serbia e importon të gjithë naftën dhe gazin e saj nga Rusia, por është vënë nën presion në rritje nga Perëndimi për të ndryshuar qëndrim. Në tetor, ai zbuloi një plan prej 12 miliardë eurosh për investime në infrastrukturën e energjisë gjatë gjashtë viteve për të diversifikuar dhe siguruar furnizimin me energji. Daçic tha se që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 e deri më tani, Serbia nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore “sepse ne vlerësuam se nuk do të ishte në interesin tonë”.

“Nëse diçka ndryshon në dëm të interesave të Serbisë, atëherë vendimi ynë do të përshtatet në përputhje me rrethanat, sepse ne do të vlerësojmë në çdo moment se cili është vendimi më i mirë për ekonominë tonë, për pozitën tonë në botë dhe për qytetarët e Serbisë”, ishte komenti i tij.

Edhe kryeministrja serbe Ana Brnabić, së fundi foli për “agresionin rus kundër Ukrainës”, një formulim ky që nuk ishte përdorur kurrë më parë nga Beogradi, ndërsa e përshkroi nga ana tjetër BE-në si investitorin dhe donatorin më të madh në Serbi. Daçiç shpalli anëtarësimin në BE si “një prioritet për Serbinë”, ndonëse e kritikoi Brukselin për zvarritjen e procesit te zgjerimit. /Danas

Kryesore Daçiç Rusia sanksione