Bota15 Maj 2022, 18:26

Vuçiç i prerë: Nuk do vendosim sanksione ndaj Rusisë, do të rezistojmë sa më shumë të mundemi!

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç i prerë: Nuk do vendosim sanksione ndaj Rusisë, do

“Vjeshta, më e vështirë se viti 1945”! Vuçiç “qan hallet” te klerikët serbë: Presioni për Kosovën, më i ashpër sesa për sanksionet ndaj Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia do të luftojë sa më shumë kohë që të mundet për të ruajtur politikën e saj kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, megjithëse dëmi që po përjeton si rezultat i këtij vendimi, është i madh.

Për TV Prva, Vuçiç u shpreh se jeta do të ishte “dhjetë herë më e mirë” nëse Beogradi do të vendoste sanksione ndaj Moskës, edhe pse kjo nuk ka për të ndodhur, pasi Serbia ndjek një politikë të pavarur.

Të gjithë do të thonë se Vuçiç po njofton për vendosjen e sanksioneve. Jo, ne do të luftojmë për aq kohë sa mundemi për të mbajtur politikën tonë”, tha Vuçiç.

Ai përsëriti se Serbia e di “se sa të padrejta janë sanksionet” dhe po vepron kështu për shkak të respektimit të të drejtave, por “populli duhet ta di se shteti po humb shumë për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.

Vuçiç tha se Serbia aktualisht nuk ka qasje në kapital të tregut, kreditë janë më të shtrenjta, pasi kreditë po ofrohen me norma të interesit prej 7 për qind dhe se rifinancimi i kredive po bëhet i vështirë. Sipas tij, të gjitha këto në fund ndikojnë te pagat dhe pensionet.

Në Kombet e Bashkuara, Serbia ka votuar për rezolutat që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe ka votuar për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, por Beogradi nuk i është bashkuar Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Moskës.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron interesat vitale të shtetit.

Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për çështjen e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008, që Beogradi refuzon ta njohë.

Serbia po ashtu varet shumë nga energjia ruse dhe kompanitë ruse kanë krijuar monopol në Serbi në tregun e naftës dhe gazit./REL

Rajoni Rusi sanksione Vucic