Bota20 Qershor 2022, 22:24

Vuçiç paralajmëron bojkot të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ende s'ka sinjale nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç paralajmëron bojkot të Samitit BE-Ballkani

Vuçiç paralajmëron bojkot të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ende s'ka sinjale nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Të enjten më 23 qershor pritet të mbahet Samiti BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Megjithatë, nisur nga situata e tensionuar në rajon që pas nisjes së luftës në Ukrainë, ku si Perëndimi edhe Rusia vijojnë presionin ndaj Serbisë sa i përket çështjes së sanksioneve, Vuçiç është ende në dyshime për të marrë pjesë.

Për mediet, lideri serb u shpreh se do të konsultohet me liderët e “Open Balkan” dhe qeverinë serbe për këtë çështje.

Do të pres të konsultohemi në kuadër të Open Balkan me zotin Rama dhe zotin Kovaçevski. Do ta konsultoj dhe qeverinë. Pastaj do të sjellim vendim, nëse do të shkojmë në Bruksel dhe cili do të jetë pozicioni ynë”- tha Vuçiç, teksa nuk ka fshehur interesin për të mësuar se çfarë do të ndodhi në këtë samit, i cili do të përcaktojë arkitekturën e Evropës.

Presidenti serb tha se ajo mund të jetë dita më e rëndësishme në 10 vitet e fundit në nivel evropian.

“Do të kuptojmë se çfarë pritet të ndodhi dhe të kuptojmë më mirë vendin që zëmë pa nënvlerësim dhe mbivlerësim”, shtoi lideri serb.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë të martën nëse do të marrë pjesë në samitin që do të mbahet në Bruksel, ndërsa qeveria e Shqipërisë ende nuk ka bërë të ditur cili do të jetë qëndrimi i saj.

Vlen të theksohet se, nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia janë në bisedime më të avancuara për anëtarësimin në bllok. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, proces që është bllokuar nga një veto e Bullgarisë për shkak të mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina ende nuk kanë nisur procesin për anëtarësimin në BE.

Ballkani BE integrimi Vucic