Kosova11 Gusht 2022, 16:48

Vuçiç del kundër Kurtit rreth autotargave: Serbët nuk do t'i ndërrojnë

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç del kundër Kurtit rreth autotargave: Serbët nuk do

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka shpërfillur thirrjet nga NATO, BE e SHBA për ruajtjen e qetësisë mes Kosovës e Serbisë. Pasi Kryeministri Kurti ditëve të fundit disa herë ka përsëritur se për vendimet e Qeverisë së Kosovës që lidhen me reciprocitetin ka pasur propgandë të madhe, Vuçiq ka thënë se “Prishtina” po përgatit sulm dhe likuidim të serbëve në Veri.

Në një konferencë për media nga zyrat e tij, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është kujdesur të çojë mesazhe agresive, vetëm një javë para takimit me Kurtin në Bruksel.

Përveç gjuhës së rëndë se pala kosovare po përgatit sulm dhe vrasje në Veri, Vuçiç ka nxitur serbët që të mos i pranojnë vendimet e Kosovës për targat RKS dhe dokumentet për hyrje-dalje në Kosovë.

Shefi i shtetit serb ka folur edhe rreth takimit me Kurtin, duke thënë se për atë takim nuk ka ndonjë agjendë.

Ai pohon se është shumë skeptik se mund të arrihet një rezultat, por edhe thotë se shpreson.

“Mjafton të lexoni deklaratat e tij (të Kurtit) dhe të bashkëpunëtorëve të tij për të kuptuar se ata nuk duan asnjë kompromis. Gjithçka që ata kanë thënë deri më tani – ‘ne do ta zbatojmë vullnetin tonë, për ne është e rëndësishme që Quint’i të na mbështesë në këtë dhe nuk na intereson se çfarë do të thotë populli serb në Kosovë dhe Metohi për këtë’. Natyrisht, atyre u intereson edhe më pak se çfarë ka për të thënë Beogradi për këtë. Unë thjesht nuk e di se për çfarë është dialogu nëse është kështu”, tha Vuçiç.

Vuçiq ka përdorur një gjuhë vulgare për takimin e ardhshëm në Bruksel, duke thënë se shpreson që “prindërit e tyre të paligjshëm do t’i detyrojnë ta bëjnë këtë në një sens politik”.

“Shpresoj se dikush do të ketë një lloj ndikimi dhe kjo është arsyeja pse po i vendos shpresat dhe po shkoj në Bruksel. Unë nuk do të shkoj në Bruksel që të luajmë lojën se kush mund të bërtasë më fort – ‘fajin e ka tjetri’. Unë po shkoj në Bruksel për të gjetur një zgjidhje, shpresoj se po, por a e besoj – nuk e besoj. Por a do të bëj më të mirën për ta realizuar? Do ta bëj”.

“Ka disa të tjerë që mund të mos e shqetësojnë dhe Kurtit do t’i shkonte për shtat sepse ai dëshiron ta kthejë të gjithë botën perëndimore kundër Serbisë”, tha Vuçiq.

Para pak ditësh Kurti ka komentuar se a mund dhe a do të evitohen ngjarjet e 31 korrikut më 1 shtator kur Qeveria planifikon t’i zbatojë vendimet e saj

“Ne do të bëjmë gjithçka që ato të evitohen, por natyrisht që varet sa faktorët ndërkombëtarë do të arrijnë ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj shtetit tonë, ndaj rendit tonë kushtetues dhe ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka thënë kreu i Qeverisë.

Prishtine

Kosova