Marrëveshja energjitike mes Kosovës dhe Serbisë e nisur në Bruksel është finalizuar. Kompania Elektrosever që do të bëjë furnizimin dhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës u licencua nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE). Këtë e bëri të ditur ZRRE, pas votimit të bordit me pesë vota për dhe asnjë kundër.
Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS , por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës. Licencimi i Elektrosever në Kosovë u bë vetëm tri ditë pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila u nënshkrua në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në fakt, në parim marrëveshja për energjinë ishte nënshkruar qysh në vitin 2013, por, që të fillojë të zbatohet, palët u pajtuan me 21 qershor në Bruksel.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, që nënshkroi zbatimin e marrëveshjes në Bruksel, deklaroi se “kompania Elektrosever, nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë, qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar, ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.
Kujtojmë se vetëm tri ditë pas dakordimit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë, u sulmua me një mjet shpërthyes objekti i Elektrokosmet-it në veri të Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, në një reagim të tij, bëri përgjegjës “strukturat paralele serbe në veri për sulmin mbi objektin e Elektrokosmet”. Sulmin me mjet shpërthyes ndaj objektit të elektro-distribucionit në Mitrovicën e Veriut e dënoi edhe Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës në Kuvend.
Përmes një komunikate për media, kjo parti tha se “ky sulm dhe ngritja e tensioneve janë kundër interesave të komunitetit serb në veri të Kosovës”. Lista Serbe u bëri thirrje organeve kompetente të hetojnë rastin dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve.
Shkruan DW