Politike 1 Qershor 2018, 19:09

Xhaçka në Burrel: Do t’iu shërbejmë njësoj të majtëve dhe të djathtëve

Shkruar nga Pamfleti
Xhaçka në Burrel: Do t’iu shërbejmë njësoj

Xhaçka në Burrel: Do t’iu shërbejmë njësoj të majtëve dhe të djathtëve

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vijuar turin e saj llogaridhënës përpara qytetarëve të Burrelit, ku ka bërë të qartë se përgjegjësia e qeverisë është e madhe e se do të shërbejë njësoj si për të majtët, edhe për të djathtët.

“Kjo është përgjegjësi shumë e madhe për një qeveri që sukseset mundet t’i mbajë vetë, por ama dështimet nuk ka me kë t’i ndajë dhe përgjegjësia në këtë kuptim është shumë e madhe. Ne jemi këtu për t’ju shërbyer të gjithëve njësoj si të majtëve dhe të djathtëve. Kjo për shkak se qytetarët na kanë dhënë besimin e madh e të merituar për të qeverisur drejt e pa dallime”, tha Xhaçka.

Ajo ka shtuar se Mati ia ka dhënë besimin në votë të majtëve e se këta të fundit ndjejnë përgjegjësi për qeverisje të mirë. “Ne kemi ardhur në pushtet që në vende pune të vijnë njerëz të ndershëm, që meritojnë shumë. Jemi të gjithë të angazhuar maksimalisht për të ndihmuar këtë qark me vlera dhe tradita për shqiptarët”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi faktin se në këto katër vite, qeveria ka bërë të mundur një mirëmenaxhim të financave publike, duke larë borxhet dhe duke krijuar mundësitë që sot të ketë më shumë investime. Por, ministrja theksoi rëndësinë që ka fakti se edhe pushteti vendor duhet të bëjë punën e tij, me përgjegjësi.

“Nëse bashkia do ta kishte bërë punën e saj mirë nuk do të ishte justifikuar sot me buxhetin e saj të kufizuar por do të kishte hartuar projekte siç bëjnë gjithë bashkitë e tjera për më shumë shkolla, për më shumë kopshte, për më shumë rrugë rurale, më shumë ujësjellësa, më shumë kanale vaditës, më shumë mundësi që fillojnë këtu në qendër të bashkisë dhe e çojnë zhvillimin deri në periferi edhe në njësitë e tjera administrative që janë më të largëta, më të izoluara, më të vështira”, u shpreh Xhaçka.

 

 

Politike burrel Deklarata xhacka