Aktualitet 1 Shkurt 2023, 10:39

Yuri Kim: Media e lirë jetike për Shqipërinë, sulmet ndaj gazetarëve kërcënojnë demokracinë

Shkruar nga Pamfleti
Yuri Kim: Media e lirë jetike për Shqipërinë, sulmet ndaj

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka shprehur shqetësimin e saj për sulmet dhe kërcënimet e fundit kundër gazetarëve dhe për lirën e medias.

Kim ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e SHBA për një media të pavarur dhe të lirë, që sipas saj është jetike për demokracinë e Shqipërisë dhe rrugën e vendit tonë drejt BE-së.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua me z. Aleksandër Çipa, kreun e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, për të përsëritur mbështetjen e SHBA për një media të pavarur dhe të lirë, e cila është jetike për demokracinë e Shqipërisë dhe rrugën drejt BE-së. Ambasadorja Kim theksoi se për Shtetet e Bashkuara, liria dhe siguria e gazetarëve janë thelbësore. Ajo shprehu shqetësimin për sulmet dhe kërcënimet e fundit kundër gazetarëve dhe kërkoi solidaritet mes gazetarëve për të dënuar sulme të tilla dhe për të kërkuar llogari. Kërcënimet dhe sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve janë kërcënime kundër demokracisë.”, njofton ambasada e SHBA.

Ju rikujtojmë se brenda pak muajve dy gazetarë janë dhunuar për shkak të detyrës.

Rasti më i fundit në Shqipëri është dhuna ndaj gazetarit Elvis Hila.

Pre e sulmit ka rënë edhe bashkëshortja e tij. Vetë gazetari Hila ka bërë kallëzimin në Polici, në të cilin ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur pas një lajmi që ai ka publikuar për Fran Amerin, një qytetar i shpallur fajtor për veprën penale “Falsikim Dokumentesh”.

Hila thotë se fillimisht është tleefonuar nga dy personat e shpallur në kërkim për ngjarjen në fjalë Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri, të cilët i kanë lënë takim. Në momentin që është përballur me ta, gazetari thotë se personat në fjalë kanë nisur ta kërcënojnë dhe t’i kërkojnë llogari për lajmin.

Më pas e kanë dhunuar. Mes tyre ka ndërhyrë dhe bashkëshortja e Hilës, të cilën e kanë qëlluar gjithashtu. Burrë e grua kanë përfunduar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Kryesore Kërcënimet ndaj medias SHBA Yuri Kim