Aktualitet 2 Tetor 2022, 15:22

Yuri Kim pret vullnetarët e Korpusit të Paqes në Durrës: Në Shqipëri gjithnjë do të gjeni ‘bukë, kripë e zemër’

Shkruar nga Pamfleti
Yuri Kim pret vullnetarët e Korpusit të Paqes në Durrës:

Ambasadorja Amerikane Juri Kim është takuar ditën e sotme me pjesëtarë të Korpusit të Paqes, të mbërritur para pak ditësh në Manastirin e Shën Vlashit në Durrës. Janë 19 vullnetarë të Korpusit të Paqes, të cilët do të sistemohen në shtëpitë e banorëve të zonës.

Fillimisht ata do të qëndrojnë 3 muaj në Lezhë ku do të trajnohen në qendrën e tyre dhe më pas do të shpërndahen në qytete të ndryshme të vendit tonë dhe të Malit të Zi. 12 prej vullnetarëve do të punojnë në Shqipëri dhe 7 në Mal të Zi.

Kim përshëndeti vullnetarët duke theksuar se do të dëshironte shumë të ishte njëra ndër ta, dhe se ata janë pjesa më e mirë e popullit amerikan.

“Jam entuziaste për ju se do nisni rrugëtimin më emocionues të jetës suaj. Ky do jetë një rrugëtim ku ju do ndryshoni njëri tjetrin. Gjithashtu do largoheni prej këtij me kujtime, do largoheni me gjëra konkrete se ju do i sillni përfitim komuniteteve në të cilat do vendoseni. Është një shprehje që e përdorin shpesh në Shqipëri: ‘Kur ju të vini në shtëpinë tonë, kur të shkelni në pragun tonë, mund të mos kemi shumë çka për t’iu ofruar, por kemi bukë, kripë e zemër. Dua të falënderoj familjet mikpritëse që kanë hapur shtëpitë dhe zemrat e tyre për këta amerikanë. Dua t’iu them vullnetarëve, do iu uroja shumë fat, më duhet të shpreh se edhe jam pak xheloze për ju sepse ju jeni përmbushja  ëndrrës sime. Kur unë u bëra pjesë e trupit diplomatik, pjesë e Departamentit Amerikan të Shteti, kisha menduar se do kisha dashur unë të isha mikpritëse e vullnetarëve të Korpusit në një vend të caktuar. Vullnetarëve dua t’iu them se ju jeni ambasadorë po aq sa sepse ju përfaqësoni më të mirën e Amerikës”, tha Kim.

Gjatë fjalës së saj, Nicole – njëra prej vullnetarëve e arsimuar në psikologji – u shpreh se i pëlqen shumë ky vend dhe do të qëndrojë këtu 2 vjet.

“Unë vi nga SHBA. Unë jam psikologe, por kam eksperiencë edhe në punë sociale. Do të punoj në sektorin e edukimit shëndetësore. Plani im është që në fillim ta njoh komunitetin ku do punoj, të njoh nevojat e tyre dhe të kem parasysh se ku do mund t’i ndihmoj ata. E dua këtë vend, pjesa ekologjike ku jemi këtu është shumë e gjelbëri shumë e pastër. U jam mirënjohëse që kujdeseni për ambientin”, tha Nicole.

Ndërkaq, drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Megan Wilson theksoi se pas një ndërprerje 2 vjeçare për shkak të pandemisë, projekti për mirëpritjen e vullnetarëve të paqes me qëllim që të kontribuojnë në sektorë të arsimit (sikurse është mësimi i gjuhës angleze), shëndetësisë apo socialë ka rinisur punën sërish.

“Me një kënaqësi të thellë shoh që vullnetarët dhe familjet pritëse janë ulur bashkë. Ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të rëndësishëm sëbashku. Faleminderit familjet pritëse që u bashkuat me në këtë aventurë ndërkulturore që është aq sfiduese aq edhe përmbushëse. Jam e sigurt që vullnetarët amerikanë do ta ndjejë shumë shpejt se ajo që kanë dëgjuar në lidhje me mikpritjen shqiptare është e vërtetë”, tha Willson.

Korpusi i Paqes është një Agjenci e Departamentit Amerikan të Shtetit të cilët japin ndihmesën e tyre në shumë vende të botës në fushën e Arsimit, Shëndetësisë, në sektorët socialë etj.

Aktualitet Yuri Kim

Aktualitet