Pritshmëritë e shqiptarëve janë pranë “Ylberit” të durimit. Ose je i vjedhur, ose ke vjedhur! Peshqit janë tufë, i sheh dhe i njeh gjithkush, janë të gjithë, pa përjashtim, peshq.
Shkruan Sokol Pepushaj
Kush s’është peshk, të ngrejë dorën, kush s’është hajdut , t’i kthejë xhepat mbrapsht.
Me pak fjalë, hajdutët është koha të arrestohen me apel. Pa përjashtim, të gjithë pushtetarët, nga viti ‘1992 e këtej, duhet të jenë në këtë apel.
Kjo është çështja. Se shikoni. Jemi në një gjëndje delikate. Ngjan sikur, ose je i vjedhur, ose ke vjedhur.
Pak hajdut, ose pak i ndershëm, duket sikur të thuash se ‘filanka është shumë e mire, vetëm se është pak shtatzënë’.
Le të kuvendojmë, në përpjekje që të zbulojmë ”cilësitë” e hajdutëve.
Hajdutët janë si rrushi, kanë cilësitë e veta.
“Cilësi” e parë, dytë, e tretë e deri “skarco”. Skarco, se ka ca që kanë vjedhë e kanë bërë namin, por sot s’kanë asnjë kacille. Kjo “cilësia” e fundit, është lëndë e “cilësisë” së parë për mitingje.
Vrapojnë sa tek Saliu, Iliri, Edi, Monika, e deri tek Fatmir Mediu. Këta mitingashët, nuk bëjnë pasuri. Edhe kur marrin para, fryjnë plëncin, hanë pilaf e pine birra, shesin mend tek të njohurit se kanë pushtet deri në qeveri medemek; ndonjë para që u mbet në fund të ditës, shkojnë tek rulotat e bixhozit dhe i futin në aparat, ku rrinë gati kthetrat e Olsi Ramës dhe Ilir Metës, t’i kapin.
Pra, paratë i dorëzojnë prapë në shtet.
Shteti, opozita, drejtësia dhe mafia, kanë gjithçka bashkë: Pasuri, pushtet, gëzime dhe hillërime.
Sot, të gjithë kanë vetëm një objektiv. Si të mbrojnë milionerët, pra njëri-tjetrin, si të bindin njerëzinë, se edhe pse janë milionerë nga hiçi, nuk janë hajdutë.
Drejtësia nuk është në “betejë” me hajdutët, por me perceptimin popullor.
Sfiliten ta tjetërsojnë relitetin. Gjithë aparati i shtetit, ngjan se punon fort, të krijojë drejtësi fallco. Pra, të burgosë për peshq, ca fukarenj që nuk kanë bukë për fëmijët.
Kështu ka ngjarë në 30 vjet.
Ka ngjarë, pasi është krijuar klimë krimi ngado.
Kjo “temperature”, ky moskeqkuptim, është sot në ring, ku hajdutët s’kanë shanse të fitojnë.
Pritshmëritë e shqiptarëve janë pranë “Ylberit” të durimit. Ose je i vjedhur, ose ke vjedhur!
Peshqit janë tufë, i sheh dhe i njeh gjithkush, janë të gjithë, pa përjashtim, peshq.
Yuri Kim, apel që nga viti 1992 e këtej, kush s’është peshk, del nga rreshti./Pamfleti