Editorial 9 Janar 2023, 10:34

Yuri Kim ‘takon’ pastruesen që “vodhi” 500 000 euro në dyshekun e zyrtares së Edi Ramës 

Shkruar nga Pamfleti
Yuri Kim ‘takon’ pastruesen që “vodhi” 500 000 euro

Yuri Kim ‘takon’ pastruesen që “vodhi” 500 000 euro në dyshekun e zyrtares së Edi Ramës 

Pra, synimi është të ndiqet paraja… E çfarë bëri tjetër pastruesja Rozeta dhe djali i saj  Havier Dobi? Ata, veç punës me fshesë e leckë, bënë atë që nuk u vete as në mendje prokurorëve dhe hetuesve që paguhen të shkojnë tek paratë e pista.

Shkruan Sokol Pepushaj

Yuri Kim takon pastruesen që “vodhi” 500 000 euro në dyshekun e Alda Klosit, këshilltare e Edi Ramës dhe ish- shefe kabineti e Arben Ahmetajt.

Ky do të ishte lajmi që do ndriçonte shpellinën e zyrtarëve, që do të “çelte” lule në lëndinën e pritshmërive, që do të reflektonte adrenalinë, pasi, të gjithë një refren “këndojmë” prej 6 vitesh; zyrtarëve hajdutë, duhet t’ua marrim gjënë e vjedhur.

Në këtë “kunj” lidhet e zgjidhet “bagëtia” e Saliut që ka ngelë brenda tash disa ditë e nuk dihet a e pret pranverën apo jo, “Peshqit” e Bablokut që u bënë gazi i botës duke gjuajtur me “bisht” këdo u afrohet, diplomacia që flet me gojë mbyllur dhe njerëzia që pret me buzë hapur.

Çfarë ka ndodhur?

Prokurorët e SPAK-ut nuk kanë punuar mirë, nuk u afrohen dot “Peshqve”. Nuk i gjejnë paratë e zyrtarëve edhe kur ato janë këmbyer me pallate, hotele, inceneratorë, bana- king, call- center, e larg qoftë parajsë fiskale apo dyshek e divan.

Pastruesja, pastroi banesën dhe paratë e pista, po me paratë çfarë bëri?

U bë lajm se veproi pa vendim gjykate. Ajo duhej dekoruar se zbuloi skandal qeveritar, ku duhen kontrolluar gjithë banesat e dyshekët zyrtarëve,

Pasi kapi 500 000 mijë euro, prokurorët i vunë prangat, kurse zyrtarja e shtetit, drejtësia dhe qeveria, sot e gjithë ditën u bënë tabelë qitjeje e “plumbave” të moralit njerëzor.

Këtu nis të rritet problemi

Në fushën e pastrimit të parave të pista, të imoralitetit shtetëror, ka spektakël. Loja nuk luhet as me një top, as me një gjyqtar. Secili ka topin e vet, gjyqtarin e vet dhe kundërshtarin e vet.

Amerikanët në kërkim të seriozitetit, lënë pas ca vogëlsira, si sportiviteti, djersitja në fushë, takojnë burra me kollare dhe zonja me firmato. premtojnë  sekuestrim të gjithëçkaje të vjedhur, në mos sot, mot, tjetrin, a të dhjetin.

Pra, synimi është të ndiqet paraja…

E çfarë bëri tjetër pastruesja Rozeta dhe djali i saj  Havier Dobi?

Ata, veç punës me fshesë e leckë, bënë atë që nuk u vete as në mendje prokurorëve dhe hetuesve që paguhen të shkojnë tek paratë e pista.

Shkuan pra në banesën e Alda Klosit, këshilltare e Edi Ramës dhe ish- shefe kabineti e Arben Ahmetajt, pastruan dyshekun që rastësisht kish qëlluar plot euro. Morën 500 000 e prapë dysheku nuk hollohej. Kishte mjaft aty.

Edhe pastruesja la pas ca “vogëlsira”.

I mori paratë për vete, se ç’të bënte tjetër?

Këtu duhet pak vëmendje, pasi nga fshati ynë, nëse ajo do i denonconte, do merrte veten në qafë, do i shkonte afër avokatit Ravik Gurra. Kaq e sigurt është kjo, sa edhe fakti kokë fortë që  dosjen e Taulantit nuk e hapin dot këta spartanët rinj të SPAK-ut fringo.

Këtej askush nuk është serioz, prandaj pastruesja ngjan më e pafajshme se një prokuror i SPAK-ut me vila e dyshekë plot para.

Sytë e pastrueses janë dëshmitarë të shumave marramendëse, si një e një bëjnë dy.

Pastaj, a ka logjikë që zyrtarët e lartë të shtetit të jenë më fukarenj se Alda Klosi, këshilltare e Edi Ramës dhe ish- shefe kabineti e Arben Ahmetajt?

Prandaj, mozaiku i të qenit përmbushës me një “qiri” nëpër shpellinat e hajdutëve do të ishte  lajmi se Yuri Kim takon pastruesen që “vodhi” 500 000 euro në dyshekun e zyrtares së Edi Ramës./Pamfleti

Editorial #Yuri Kim ‘takon’ pastruesen që “vodhi” 500 000 euro në dyshekun e zyrtares së Edi Ramës Havier Dobi Rozeta Dobi