Aktualitet18 Maj 2018, 08:42

Zbardhen detaje të punës së KLD-së në ndëshkimin e gjyqtarëve që kanë shkelur ligjin. Ankesat që ka refuzuar secili pr

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhen detaje të punës së KLD-së në ndëshkimin e

Zbardhen detaje të punës së KLD-së në ndëshkimin e gjyqtarëve që kanë shkelur ligjin. Ankesat që ka refuzuar secili prej tyre

Zbardhen të tjera detaje sa i takon punës së KLD në ndëshkimin e gjyqtarëve që kanë shkelur ligjin. Pak javë më parë anëtarët e këtij institucioni refuzuan shkarkimin e plot 16 gjyqtarëve, të cilët kishin abuzuar me detyrën dhe kishin bërë shkelje shumë të rënda. Por çështja e shkeljeve në gjyqësor është kompetencë e Inspektoratit të KLD, i cili duhet të hetojë dhe të dërgojë para përgjegjësisë të gjithë personat që janë përfshirë në shkelje apo kanë shkelur ligjin.

Prej disa ditësh gazeta ka denoncuar se si ankesat e qytetarëve dhe të institucioneve hidhen në kosh nga inspektorët, pasi nga rreth 800 ankesa që bëhen brenda një viti ndaj gjyqtarëve, vetëm 200 merren parasysh dhe nga këto kërkohet procedim disiplinor vetëm për 1-2 gjyqtarë. Bazuar në raportet vjetore të Inspektoratit për vitet 2014 dhe 2015, pasi pas kësaj periudhe ky Inspektorat ka pezulluar procesin, tregohet puna e secilit inspektor.

KLD ka 13 inspektorë dhe ajo që bie në sy është se ata kanë në dorë shumë raste për shqyrtim, por në fund kanë bërë verifikime për shumë pak dosje. Gjatë vitit 2015 Arjan Qafa ka marrë 5 raste në shqyrtim paraprak, por nuk ka pasur verifikime për asnjë. Izet Salaj ka marrë 140 raste në shqyrtim paraprak, por ka bërë verifikime për 57 raste. Marsela Pepi ka marrë 163 raste në shqyrtim paraprak, por ka bërë verifikime për 27 raste.

Qemal Zaimi ka marrë 175 raste në shqyrtim paraprak, por ka bërë verifikime për 18 raste. Sofie Zhilla ka marrë 132 raste në shqyrtim paraprak, por bërë verifikime për 92 raste. Një bilanc të ngjashëm kanë dhe emra të tjerë, të cilat kanë marrë shumë çështje për shqyrtim, por në fund ka rezultuar se verifikim i plotë është bërë për një numër të ulët.

Përgjatë periudhës 01.01.2015 – 31.12.2015 numri i ankesave të paraqitura nga qytetarët është 840, nga të cilat 791 ankesa janë paraqitur nëpërmjet shërbimit postar apo fizikisht nga ankuesit, 24 ankesa janë paraqitur në sistemin online të ankesave dhe 25 ankesa nëpërmjet postës elektronike. Pas shqyrtimit paraprak të 840 ankesave të paraqitura, 212 prej tyre janë verifikuar (25.2 %), ndërsa 628 ankesa janë arkivuar.

 

Informacionet e kryetarëve

Në raportin e KLD tregohet se si është proceduar dhe me kërkesat që kanë ardhur nga kryetarët e gjykatave, në rastet kur ata kanë konstatuar shkelje. Për 2 gjyqtarë, të konstatuar me shkelje në vonesa të arsyetimit të vendimeve dhe me përdorim të ulët të sistemit audio, është tërhequr thjesht vëmendja me shkrim dhe nuk ka pasur asnjë masë tjetër, edhe pse problemi i zvarritjes së vendimeve është dominant.

Në 3 raste, informacioni mbi vonesat e vendimeve i dërguar është arkivuar, pasi ka rezultuar i pasaktë apo gjyqtari ka pasur arsye objektive në vonesa; Në 1 rast është sugjeruar propozimi për Këshillin e Lartë të Drejtësisë për mundësinë e një inspektimi të përgjithshëm lidhur me veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarit; Në 1 rast materialet i janë dërguar për kompetencë Ministrisë së Drejtësisë pasi vonesat në dorëzimin e vendimeve kishin të bënin me veprimtarinë e administratës gjyqësore.

Për 1 gjyqtar të cilit i është cenuar një vendim gjyqësor është sugjeruar regjistrimi për efekt të vlerësimit etik e profesional. Për 1 gjyqtar është sugjeruar tërheqje e vëmendjes në lidhje me dorëzimin me vonesë të vendimeve gjyqësore të arsyetuara; Për 5 gjyqtarë dorëzimi me vonesë i vendimeve të arsyetuara, materialet janë bashkuar me materialet e inspektimi tematik të përbashkët mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit të KLD-së, bazuar në vendimin nr. 115, datë 22.12.2015 të KLD-së./ SOT

Aktualitet ankesat gjyqtarët KLD