
Shkrimtari i njohur Salman Rushdie vijon të jetë i shtruar në spital pasi u godit me thikë gjatë një ligjërate që po mbante në Nju Jork.
Autori 75-vjeçar po përgatitej të jepte një leksion në Institutin Chautauqua të premten kur një i ri u ngjit në skenë dhe goditi e disa herë me thikë shkrimtarin Rushdie.
Anëtarët e stafit dhe të ftuarit më pas u ngjitën në skenë dhe shtrinë të dyshuarin, i identifikuar si 24-vjeçari Hadi Matar, nga New Jersey. I riu doli dje para gjykatës për tu njohur me akuzat dhe prokurori i Qarkut, Jason Schmidt dha detaje mbi dëmet që ka marrë shkrimtari.
Lëndimet e autorit përfshijnë tre plagë me thikë në anën e djathtë të pjesës së përparme të qafës, katër plagë me thikë në stomak, plagë shpimi në syrin e djathtë dhe gjoks dhe një plagë në kofshën e djathtë, sipas prokurorit të qarkut.
Rushdie u transportua në spital pas sulmit dhe iu nënshtrua një operacioni, tha policia. Shkrimtari mund të përfundojë duke humbur syrin e tij të djathtë, tha Schmidt.
Autori filloi të fliste të shtunën pasi më herët ishte në intubim, tha agjenti i tij Andrew Wylie për New York Times , duke shtuar se sulmi e la Rushdie me dëmtim të mëlçisë dhe nervave.
Një folës tjetër në evenimet, 73-vjeçari Ralph Henry Reese, pësoi një dëmtim të lehtë në kokë gjatë sulmit. Ai u dërgua në spital me një ambulancë.
I dyshuari Matar nuk i pranoi akuzat për tentativë vrasjeje të shkallës së dytë dhe sulm të shkallës së dytë, duke u deklaruar i pafajshëm, tha avokati i tij Nathaniel Barone, për CNN të shtunën.
Matarit iu refuzua lirimi me kusht dhe u dërgua në burgun e qarkut Chautauqua. Paraqitja e tij e radhës në gjykatë është të premten. Ai përballet me 32 vjet burg nëse dënohet për të dyja akuzat, tha Schmidt.
Një dëshmitare, Joyce Lussier, e cila ishte ulur në rreshtin e dytë ka treguar detaje për CNN. Ajo ka parë momentin kur agresori u ngjit në skenë, ndërsa njerëzit nisën të bërtisnin.
“Ai u hodh mbi zotin Rushdie dhe filloi ta godasë shumë shpejt. Isha plotësisht i shtangur dhe i tronditur”, tha dëshmitari.
Sipas prokurorisë, i dyshuari mbërriti në Chautauqua të paktën një ditë para ngjarjes dhe bleu dy ditë më parë një biletë për të marrë pjesë në ligjëratë.
Matar udhëtoi për në Chautauqua me autobus dhe kishte me vete para të thata, karta Visa dhe një kartë identiteti të rreme, tha prokurori Schmidt, i cili e quajti goditjen me thikë një “sulm të planifikuar paraprakisht “. Dëshmitarët kanë thënë se nuk janë kontrolluar për mjete metalike dhe kjo ka bërë që autori të fusë lehtësisht mjetin prerës. /Pamfleti