Aktualitet20 Korrik 2022, 15:29

Zbardhen diskutimet/ Berisha asnjë shans të marrë nën kontroll grupin parlamentar, deputetët kërkojnë çlirimin e partisë prej tij dhe Lulzim Bashës

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhen diskutimet/ Berisha asnjë shans të marrë nën

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se e ka të vështirë të marrë nën kontroll grupin parlamentar demokrat. Në shtator foltorja do të tentojë të ndryshojë kryetarin dhe të marrë frenat e grupit, por dje është bërë e qartë se ky do jetë mision i pamundur.

Në mbrëmje rreth 23-24 deputetë të grupit parlamentar zhvilluan një takim dje në një prej bareve të kryeqytetit, për të diskutuar mbi të ardhmen e tyre. Pati debate dhe diskutime, por shumica e deputetëve në një pikë duket se bashkohen: Nuk ka bashkim me Sali Berishën.

Deputet janë shprehur gjithashtu se nuk mbështesin as rikthimin e  Bashës, por kanë kërkuar që tani të ringrihen dhe të punojnë për zgjedhjet vendore. Ferdinand Xhaferraj ka thënë që ky grup duhet të nisë punojë për zgjedhjet e vitit që vjen. Pra do të kemi një distancim nga Berisha, i cili po punon më vete për zgjedhjet vendore.

Duhet të bëjmë një grup drejtues me 3 ose 5 veta, dhe të shkojmë në zgjedhjet vendore. Pra që ne ti besojmë gjithë vendimmarrjen. Unë e kam deklaruar se jam pjesë e grupit këtu, për shkak se nuk jam me Sali Berishën, sepse Shqipëria nuk ka të ardhme me Berishën”, tha Xhaferraj.

Edhe Flutura Açka ka qenë në të njëjtën linjë. Ajo u shpreh se Berisha ka qenë përherë në PD, ndërsa theksoi gjithashtu se Basha nuk mund të rikthehet më. “Kur dola nga zyra e Lulzim Bashës, pasi më propozoi për të qenë deputete, pashë në korridore të njëjtët njerëz që i rrinë Sali Berishës. Aty mendova se Sali Berisha nuk ka ikur kurrë nga PD, se PD-në e drejton ende Sali Berisha. Unë kam marrë shumë kosto gjatë kësaj kohe. Ajo që nuk fal kurrë janë komentet për djalin tim. Kam menduar të jap dorëheqjen pas atij momenti. Por nuk e bëra sepse kisha detyrime ndaj votuesve dhe demokratëve”, tha ajo.

Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj nga ana tjetër janë shprehur se nuk i kthejnë kurrizin Bashës, teksa kanë thënë se ai e ka marrë vendimin e tij dhe nuk kthehet më, pasi është dorëhequr. Ndërkohë ka pasur dhe emra që duan të afrohen me Berishën, si Tomor Alizoti, Grida Duma apo Ervin Salianji.

Diskutimet në mbledhje

Lefter Geshtenja: Këtë takim e kam incuar së bashku me Flamurin, për të folur hapur, për të pirë një kafe, dhe për të diskutuar me njeri tjetrin, të ardhmen e grupit, dhe çfarë shkon mirë apo keq. Kam ftuar 34 deputete, nga 35, dhe nuk kam ftuar Lulzim Bashën, për shkak se disa kolegë ma vendosën kusht që nëse do të ishte Basha, ne nuk do të vinim këtu.

Ferdinand Xhaferraj: Duhet të bëjmë një grup drejtues me 3 ose 5 veta, dhe të shkojmë në zgjedhjet vendore. Pra që ne ti besojmë gjithë vendimarrjen. Une e kam deklaruar se jam pjesë e grupit këtu, për shkak se nuk jam me Sali Berishën, sepse Shqipëria nuk ka të ardhme me Berishën.

Dhurata Çupi: Mbledhja e grupit bashkë dhe diskutimi hapur me njeri-tjetrin, çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon është shumë e mirë si ide. Kemi kaluar një vit të vështirë politik me dilema me veten. Debate me ndërgjegjen a po bëjmë më të mirën me këto qëndrime. Dhe jemi përballur shumë me keto qëndrime. Një gjë jam e binduar që kështu siç jemi deri sot nuk jemi mire si grup. Të flasim hapur dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë. Ne bëjmë opozitë të vazhdueshme në Kuvend të gjithë dhe duhet ta mbajmë këtë qëndrim edhe në vazhdim.

Helidon Bushati: Padyshim pjesë e Partisë Demokratike do duhet të jetë gjithkush që ka kontribuar dhe ka dhënë për këtë forcë politike, madje e kemi hapjen nevoje urgjente.  Padyshim që ne si grup do duhet të jemi të hapur ndaj çdo demokrati, ndaj çdo kontribuuesi në çdo nivel. Por një gjë duhet ta themi qartë dhe të jemi të vendosur, e kjo është për të mirën e Partisë Demokratike. Duhet të shkëputemi nga çdo sinjal dhe të jemi të qartë se askush nga ne nuk luan lojën apo është pro rikthimit të Lulzim Bashës, në krye të PD-së.  Padyshim ai ka kontribuar, do duhet të vazhdojë të jepje kontributin e tij, por kapitullin për drejtimin e saj e ka mbyll me dorëheqjen e tij. Në kushtet kur në opinionin publik perceptohemi me pa të drejtë si deputetë të Lulizm Bashes mendoj që secili nga ne duhet të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me aspiratat për rikthim në krye të PD te Lulzim Bashës. Grupi duhet të krijojë fizionominë e tij si grup dhe të fillojë një aksion të koordinuar politik kundër qeverisë dhe Ed Ramës. Për këtë ka nevojë që të kalojmë nga një grup parlamentar që është pak a shume i sheshtë në një grup normal parlamentar, me sistem piramidal që të koordinojë dhe organizojë punën e grupit dhe aksionin politik.

Saimir Korreshi: Doni të ndërmerrni akte? Marrim akte.

E para, të njohim me akt Enkelejd Alibeajn si kreun e Grupit Parlamentar të PD-së.

Të dalim me akt publik dhe të themi që Lulzim Basha nuk vjen më në krye të PD. Lulzim Basha nuk shihet nga ky grup si drejtues në të ardhmen. Si deputet e ka të drejtën e vet të jetë. Nuk duhet në quhemi grupi i Lulzim Bashes sepse nuk jemi.

Të ngremë një grup pune që të negociojmë me palën tjetër. Na duhet bashkimi i demokratëve. Të zhbëhen të gjitha proceset e deritanishme që ka ndërmarrë pala tjetër.

Të gjejmë kandidatë konsensuale për zgjedhjet e ardhshme vendore. Nuk duhet të dalim me 2 kandidatë.

Grida Duma: Erdha në respekt të dy kolegëve që na ftuan për kafe, për qetësinë dhe integritetin e paqtë të tyre. Erdha po ashtu me vëmendjen për t’ju dëgjuar, e madje pres që këtu të flasë qartë kryetari i grupit, sepse ajo që ka marrë përsipër të bëjë ai, pas “hapit pas” të ish kryetarit, është e madhe por po ashtu sfidë që kerkonte qartësi politike. Asgjë nuk ka ecur si duhej!

Sot po jua them të gjithëve, sepse erdha për të qenë e hapur, atë që i thashë kryetarit të grupit edhe veçmas që në fillesë; distancohu publikisht nga ish kryetari dhe deklaro që nuk je nën hyqmin e tij, përndryshe do të jetë e dëmshme për ty vetë e për këdo tjetër që mban këtë qëndrim. Përpos kësaj i kam kërkuar të ngrihet menjëherë, menjëherë, një grup përfaqësues i PD dhe të bëhet një dialog i hapur me demokratët kudo nëpër Shqipëri. Kurrë nuk u dol të flitet me demokratët hapur dhe pa doreza, si ndodhën ngjarjet dhe çfarë na pret në këto kushte.  Asnjëra nga këto nuk u bë!

Flutura Açka: Ky grup nuk mund të rrijë bashkë në kushtet e mungesës së sinqerietit dhe mirëkuptimit të plotë. Është krijuar përshtypje brenda grupit, por edhe jashtë, se këtu është një celulë që punon vetëm për kthimin e Bashës, madje qarkullojnë edhe emrat se cilët janë. Duke bërë këtë, përfshijnë në aksionin e tyre pa dashje edhe pjesën tjetër të grupit, që është cilësuar si bashkëpunëtorë të Bashës. Vetë jam e lodhur duke u thirrur e duke lexuar për veten si bashiste. Une nuk bëj pjesë aty, opinionin tim dhe idetë e mia i kam bërë të qarta. Nëse edhe ky grup që e mban këtë stigmë nuk hapet dhe ta bëjë të qartë pozicionin e tij, do t’i shërbejë vetëm ndarjes së grupit dhe skizma do të shkojë deri në fund. E kam mbrojtur zotin Basha për disa muaj në vendimin e tij, e bindur se e drejta ishte me të, por nuk e bënë të gjjthe, duke qenë të mirë me të gjithë. E kam vlerësuar dhe e kam besuar si të sinqertë dorëheqjen e zotit Basha, dhe nëse pas saj punohet për rikthimin e tij nga grupe të vogla të caktuara, duke krijuar ishuj në grup, me qëndrime as mish as peshk dhe pa aksione të qarta politike, une do të ndiej nevojën të distancohem. Qëndrimet duhet të jenë të qarta dhe publike, të tilla që nuk fyejnë askend, por i shërbejnë unifikimit dhe demokratëve që presin nga ne. Unë nuk dua të jem e përdorur. Nëse do ta ndiej këtë, do të vendos për një qasje tjetër politike për veten.

Kur dola nga zyra e Lulzim Bashës, pasi më propozoi për të qenë deputete, pashë në korridore të njëjtët njerëz që i rrinë Sali Berishës. Aty mendova se Sali Berisha nuk ka ikur kurrë nga PD, se PD-në e drejton ende Sali Berisha. Unë kam marrë shumë kosto gjatë kësaj kohe. Ajo që nuk fal kurrë janë komentet për djalin tim. Kam menduar të jap dorëheqjen pas atij momenti. Por nuk e bëra sepse kisha detyrime ndaj votuesve dhe demokratëve.

Enkelejd Alibeaj: Unë jam rritur i persekutuar dhe e di çfarë do të thotë ti kthesh kurrizin tjetrit. Unë nuk i kthej kurrizin Lulzim Bashes. Ne kemi bërë opozitë. Lulzim Basha nuk ka efekt dhe impakt tek grupi ynë. Ai ka dhënë dorëheqjen.

Tomor Alizoti: Kundërshtari i këtij grupi parlamentar është Basha e jo Berisha. Berisha ka zgjedhur rrugën e tij ka ndërtuar strukturën e tij, mbi këtë grup bie hija e Bashes. Pa ndërmarrë një akt politik ku grupi parlamentar nuk e pranon rikthimin e Bashes si kryetar, nëse ky grup vazhdon në këtë rrugëtim politik është drejt asgjësimit. Në politikë nuk gjykohet me emocion por me arsye, faktorët politikë i zgjedh terreni. Berisha është realitet politik duhet gjetur mënyra komunikim me të. Nëse ky grup nuk distancohet nga Basha unë madje as për një takim të tille e kushtëzoj veten. Finalizimi duhet të jetë bashkimi i demokratëve.

Gazment Bardhi: Ne nuk jemi mbledhur këtu për të shpallur armik Lulzim Bashën, jemi mbledhur për qejf. Edhe vete Berisha nuk po e permend më. Unë nuk e mohoj që kontaktoj me Lulzim Bashën, sepse nuk ka asgjë, që unë ta shpall armik Bashën, siç bënë disa këtu prej 4 orësh. Kjo duket e inskenuar për konsumim mediatik, pasi vetë Sali Berisha nuk e përmend më Lulzim Bashën.

Kryesore diskutime grupi PD