Kronike26 Korrik 2022, 10:25

Zbardhet pas 6 vitesh vrasja e Saimir Jakut; kush është 40-vjeçari i arrestuar për ekzekutimin e ish-drejtorit të OST-së

Shkruar nga Pamfleti

Pas 6 vitesh policia ka arritur që të zbardhë vrasjen e ish-drejtorit të OST-së, Saimir Jakut, krim i ndodhur më 9 shtator të vitit 2016 në një lokal në qendër të Rrëshenit.

Për vrasjen është arrestuar 40-vjeçari Dorjan Keqi, banues në Krujë. Sipas policisë 40-vjeçari nga Kruja kreu vrasjen me pagesë, ndërsa në banesë iu sekuestruan 21 celularë.

40-vjeçari në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së Jakut, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë.

“Si rezultat i të gjitha veprimeve hetimore të kryera dhe bashkëpunimit intensiv me Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminimet laboratorike të provave të sekuestruara në vendngjarje, si dhe marrjes së çdo dëshmie të mundshme me interes për hetimin, vlerësimit të çdo informacioni, për identifikimin e autorit/ëve dhe zbardhjen e ngjarjes, strukturat hetimore të DVP Lezhë zhvilluan operacionin policor të koduar “GJURMA”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. K., 40 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë”, njoftoi policia e Lezhës.

Nga ana tjetër, strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Kronike Saimir Jaku Zbardhet vrasja