Bota 6 Qershor 2019, 15:03

Zbardhet pasuria e presidentit Thaçi, 350 mijë euro shtëpia e re. Si ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhet pasuria e presidentit Thaçi, 350 mijë euro shtëpia e re. Si ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar

Pasuria e gatshme (paratë) e presidentit Hashim Thaçi ka rënë për 128 mijë e 600 euro në krahasim me vitin e kaluar. Kështu ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit vetë Thaçi.

Para një viti, Thaçi në llogarinë e tij bankare kishte 136 e 688 euro, ndërkaq tani ka vetëm 7 mijë e 491 euro të gatshme, raporton Insajderi.

113 mijë euro presidenti ka deklaruar se i ka shpenzuar në shtëpinë e tij të re, ndërkaq 15 mijë e 600 euro thotë se i ka shpenzuar për nevoja familjare.

Pasuria e paluajtshme e Thaçit arrin në 610 mijë euro. 180 mijë euro Thaçi e ka vlerësuar një tokë bujqësore të tij prej 7 hektarësh. 80 mijë euro thotë se kushton shtëpia e tij. Ndërkaq shtëpija e tij e re, për të cilën thotë se nuk e ka blerë ende, kushton 350 mijë euro.

Pasuri të luajtshme presidenti Thaçi ka deklaruar veturën “Audi Q5” në vlerë 15 mijë euro, që është në pronësi të bashkëshortes së tij, Lumnije Thaçit. Ndërkaq vitin e kaluar Thaçi kishte në bashkëpronësi me gruan edhe një veturë “Audi A4”.

Të hyrat vjetore të familjes Thaçi shkojnë deri rreth 60 mijë euro. Prej tyre, rreth 40 mijë euro në vit Thaçi i merr nga pozita e presidentit të vendit: 33 mijë e 282 euro pagë vjetore, ndërkaq 5 mijë e 771 euro mëditje.

Ndërkohë bashkëshorja e tij, Lumnije Thaçi, si profesoreshë në Universitetin e Mitrovicës merr 19 mijë e 200 euro në vit./Insajderi.com

 

 

Rajoni Hashim Thaçi Pasuria presidenti i Kosovës