Aktualitet 1 Prill 2022, 08:52

Zbardhet rrëfimi i Kadri Hazbiut: Pse Mehmet Shehu fshehu planin operativ për çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhet rrëfimi i Kadri Hazbiut: Pse Mehmet Shehu fshehu planin operativ

“Mehmet Shehu ka mbajtur të fshehur planin për çlirimin e Kosovës. E ka fshehur në kasafortë dhe çelësin e mbante vet”.

Mëngjesin e 22 tetorit 1982, Kadri Hazbiu është kujtuar për ngjarjen e pazakontë, kur ka marrë në dorëzim zyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe ka kërkuar ta vërë në vëmendje dy hetuesit.

”Pasi vrau veten Kryeministri, ka dëshmuar ai, u kujtova për këtë dokument dhe më shkoi mendja të verifikoja nëse ishte në vend apo e kishte marrë tradhtari Mehmet Shehu. Kur gjetëm çelësin sekret, e hapëm kasafortën, konstatuam se ishte aty”.

Nga mënyra si zbardhet kjo histori në hetuesi, të krijohet përshtypja e një alibie të sajuar për të devijuar trajektoren e investigimit të veprës kriminale të ish-kreut të Sigurimit të Shtetit, që vitet e fundit ka ushtruar detyrën e ministrit të Mbrojtjes, por e vërteta nuk është tërësisht kështu. Misteri i dokumentit sekret në kasafortën e Kryeministrit të vetëvrarë, nuk është zbuluar i plotë as gjatë procesit gjyqësor.

Disa vite më vonë, dëshmitarët e përmendur nga Kadri Hazbiu në seancën e 22 tetorit 1982, bënë publike përmbajtjen e tij. Të paktën sipas Veli Llakës, Maliq Sadushit e Kiço Mustaqit, dokumenti misterioz ishte Plani Operacional i Shtabit të Përgjithshëm për çlirimin e Kosovës, i hartuar në mesin e viteve ‘70, me urdhrin e Enver Hoxhës.

E kanë pohuar këtë fakt edhe autorët e tjerë të këtij dokumenti, oficerë të lartë në Ministrisë së Mbrojtjes, duke shtuar sakaq karakterin sekret të tij. Pavarësisht fatit që iu rezervua Hazbiut për t’iu shmangur përgjegjësive të veta në proces, dokumenti në fjalë nuk u zbardh kurrë i plotë…

22.10.1982 Pyetje: Ç’problem tjetër keni për të thënë, i pandehur?

Përgjigje: Kur kam qenë ministër i Mbrojtjes, në muajin prill–maj të vitit 1981, sekretarja e kolegjiumit, që regjistronte diskutimet që bëheshin në mbledhje të ndryshme ose në kolegjiumin e Ministrisë, më ngriti problemin se kishte vështirësi të merrte të gjitha diskutimet, pasi mikrofoni që kishim nuk kapte diskutimet që bëheshin nga gjysma e sallës e poshtë.

Për të zgjidhur këtë problem, kam biseduar me tradhtarin Feçor Shehu dhe i kam kërkuar të më ndihmonte me një mikrofon nga ata që përdorte. Ministria e Punëve të Brendshme për punë operative, mbasi nuk kishim mundur të gjenim mikrofona të përshtatshëm. Këtë mikrofon ia dhashë tradhtarit Feçor Shehu ose të na bënte kalim kapital, ose ta blinim sipas rregullave. Feçori ra dakord dhe më dërgoi specialistin Dajlan Hajdari, i cili e pruri pajisjen që kërkova.

Me të ishin edhe shokë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të sektorit përkatës operativ. E takova Dajlanin dhe ai më tha se këtë mikrofon nuk mund ta përdornin të gjithë dhe se ai ishte një pajisje sekrete që përdorte Ministria e Punëve të Brendshme. I thashë Dajlanit që ta vendoste mikrofonin në bazën teknike sekrete që përdor Ministria e Punëve të Brendshme. Ideja ishte që të regjistroheshin diskutimet dhe bisedat në mbledhjet e kolegjiumit të ministrisë.

Dajlani më tregoi se e kishte vendosur mikrofonin në mënyrë të padukshme në mesin e tavolinës. Vendin ku u vendos mikrofoni dhe mënyrën si u vendos e panë edhe sekretarja Eli Kokushta, Zija Beqiri, Ismet Isufi. E morën vesh këtë edhe zëvendësministrat.

22.10.1982 Pyetje: I pandehur, përse na keni kërkuar?

Përgjigje: Unë kam për t’ju thënë disa çështje, të cilat mendoj se janë të vlefshme në lidhje me veprimtarinë armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu, për ta sqaruar atë.

Kur më bëri dorëzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, ndër të tjera, tradhtari Mehmet Shehu më dorëzoi edhe disa çelësa, të cilët ishin në një kasafortë, brenda së cilës ishte një sirtar edhe ai i mbyllur e më tha se brenda në sirtar është një plan me destinacion çështjen e Kosovës. Ishte një dokument sekret që u interesonte shumë jugosllavëve.

Tradhtari Mehmet Shehu më tha se këtë dokument mund ta hapja vetëm me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm. Përmbajtjen e këtij dokumenti dhe vendin ku ndodhej e dinte edhe Veli Llaka e Kiço Mustaqi. Kur vrau veten Mehmet Shehu, më shkoi mendja të verifikoja nëse ky dokument sekret ishte në vend apo e kishte marrë tradhtari Mehmet Shehu.

Thirra të dy shokët që kishin dijeni për këtë problem, por ata, kur panë çelësat, më thanë se më mungonte çelësi i sirtarit. Për të sqaruar ku ndodhej çelësi, pyeta shokun që kishte marrë çelësat që i ishin gjetur tradhtarit Mehmet Shehu pas vetëvrasjes, i cili m’i dërgoi ato. Veli Llaka dhe Kiço Mustaqi, kur i panë në tufën e çelësave, njohën çelësin që më mungonte.

Me lejen e udhëheqësit të partisë e hapëm sirtarin dhe kutinë e verifikuam që dokumenti ishte në vend. Unë për këtë ndodhi u thashë shokëve që ishin me mua kur hapëm kasafortën, të mbanin një procesverbal. Mendoj se armiku Mehmet Shehu çelësin e sirtarit ku ruhej dokumenti që përmenda më sipër, e ka marrë me qëllime të caktuara.

Me anë të tij, duhej të kërkonim çelësin tek ai (Mehmeti) ose nëse do ta hapnim me mënyra të tjera, do të thoshte se sekreti është nxjerrë nga ne, për problemin që bëhej fjalë në dokument dhe kështu nuk do të merrej vesh që këtë sekret ua kishte bërë të njohur jugosllavëve tradhtari Mehmet Shehu. Këto mendime ia kam thënë partisë. Mbas vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, unë kam kërkuar nëpërmjet Farudin Poçarit, që ndodhej në zyrën e Feçor Shehut ose të ndonjë tjetri, që të vinte tek unë Dajlan Hajdari.

Këtij i thashë që të kontrollonte zyrën time, paradhomën, sallën e mbledhjeve të Kolegjiumit, zyrën e shefit të Shtabit dhe të shefit operativ me aparaturat e posaçme që kanë ata, për të parë se mos kishte të vendosur mikrofona të tjerë sekretë që nuk e dinim ne. Dajlani më tha se këtë kontroll nuk mund ta bënim në sallën e kolegjiumit, pa hequr mikrofonin që kishte vendosur më parë.

Unë i thashë ta hiqnin fare atë dhe të bënin kontrollin. Kështu u bë dhe rezultoi që në asnjë nga ambientet e kontrolluara nuk kishte mikrofona të tjerë. Dajlani nuk e vendosi më mikrofonin që hoqi.

Unë i thashë të njoftonte tradhtarin Feçor Sheh për kontrollin që bëri. Edhe vetë unë e kam vënë në dijeni Feçor Shehun për kontrollin që bëmë. Vendosja e këtij mikrofoni, që është pajisje sekrete e Ministrisë së Punëve të Brendshme në zyrën time të mbledhjev, nuk duhej të ishte bërë, sepse personat që e morën vesh këtë punë nuk janë të autorizuar të njihen me të.

10.12.1982 Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, ç’veprimtari armiqësore keni zhvilluar kundër partisë dhe shtetit?

Përgjigje: Unë nuk kam zhvilluar veprimtari armiqësore kundër partisë dhe shtetit.

Pyetje: Si e konsideroni, i pandehur, vlerësimin që ju ka bërë partia që ju cilësoi si tradhtar?

Përgjigje: Këtë cilësim që më ka bërë Partia, unë e quaj të gabuar. Unë nuk jam tradhtar. Konkluzioni që ka arritur udhëheqësi i partisë mbi tradhtinë time është rezultat i një vendimi të gabuar, për të më cilësuar tradhtar.

Pyetje: Si është e mundur, i pandehur, që partia të vendosë për një problem kaq serioz në mënyrë të gabuar?

Përgjigje: Kam bindjen se Partia me udhëheqësin e saj do ta kthjellojë plotësisht të vërtetën mbi çështjen time, pavarësisht nëse do të jem apo jo unë gjallë.

Pyetje: Partia dhe udhëheqësi i saj mbi bazën e veprimtarisë sate armiqësore dhe analizave të bëra mbi bazën e fakteve të ka flakur me neveri prej radhëve të saj si tradhtar. Çfarë prisni tjetër, ju, i pandehur, nga partia?

Përgjigje: Unë pres që partia të rishikojë vendimin e saj dhe kam bindjen se do të kthjellojë çështjen dhe të vërtetën, se unë nuk jam tradhtar.

Pyetje: A ia thatë partisë mendimet tuaja rreth problemeve që u akuzuat, ju i pandehur?

Përgjigje: Ia kam thënë partisë dhe në Hetuesi. Ia kam thënë Byrosë Politike të KQ të Partisë, udhëheqësit dhe Hetuesisë.

Pyetje: A keni lënë ndonjë argument ose fakt pa thënë për shfajësimin tuaj?

Përgjigje: Nuk ka mbetur gjë pa thënë.

Pyetje: Si i vlerësoi partia dhe udhëheqësi këto gabime e justifikime tuajat, i pandehur?

Përgjigje: Nuk i përgjigjem dhe nuk ka pse t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.

Pyetje: Ju i pandehur, në proceset e mëparshme keni thënë se do të shpjegoni lidhur me një urdhër për të mos lëvizur tanket, të dhëna nga tradhtari Mehmet Shehu, si është ky problem?

Përgjigje: Nga fundi i gushtit të vitit 1982, unë kam mësuar deponimin që kishte bërë Fiqrete Shehu, të cilin e kam dëgjuar të incizuar në magnetofon, nga ministri i Punëve të Brendshme, sipas të cilit rezultonte që tradhtari Mehmet Shehu, pas Kongresit VIII të partisë, me sa kujtoj, kishte urdhëruar Veli Llakën dhe Nazar Berberin që tanket të mos lëviznin pa urdhrin e tij. Unë, pasi dëgjova këtë, nuk bëra ndonjë veprim verifikimi, por prita sa të vinte udhëheqësi. Pas ardhjes së tij, unë i kam raportuar për këtë çështje, por nuk jam marrë më me të, sepse filloi të diskutohej edhe çështja ime.

Unë them se kjo është një çështje me rëndësi të madhe, që ka të bëjë me planin e Mehmet Shehut për të përdorur tanket ose për t’i bllokuar ato në një situatë të caktuar, kur do të vepronte ai. Unë për këtë çështje kaq di. Për të u diskutua edhe në plenumin e K.Q, por si Veliu edhe Nazari nuk dhanë shpjegime. Ky veprim është bërë pa dijeninë time, në shpinën time nga tradhtari Mehmet Shehu e Veli Llaka me Nazar Berberin, prandaj kjo çështje duhet të hetohet me hollësi. Dua të saktësoj se në deponimin e së pandehurës Fiqrete Shehu, unë nuk mbaj mend mirë nëse bëhej fjalë që urdhri është dhënë para apo pas Kongresit VIII të partisë.

Dossier Jugosllavia Kadri Hazbiu Kosove Mehmet Shehu