
Urdhri i kërkimit që autorizoi kontrollin e shtëpisë së ish presidentit Donald Trump sapo është bërë publik. Në të renditen krimet e mundshme, për të cilat Trump mund të akuzohet, duke përfshirë keqpërdorimin e informacionit të mbrojtjes dhe shkatërrimin e të dhënave.
Në dokument thuhet se u gjetën katër grupe dokumentesh top-sekret dhe shtatë grupe të tjera informacionesh më pak sekrete, por ende të klasifikuara.
Në inventari e dosjes shkruhej se pas një kontrolli, FBI mori rreth 20 kuti me sende nga Klubi Mar-a-Lago të hënën, duke përfshirë lidhëse fotografish, informacione për presidentin e Francës dhe një shumëllojshmëri materialesh të klasifikuara.
Gjatë ndërhyrjes së FBI-së u gjetën një grup dokumentesh top sekrete, “Dokumente të klasifikuara ndryshe si TS/SCI”, një referencë për një nga format më të larta të informacionit top-sekret.
Përveç katër grupeve të dokumenteve top-sekret, agjentët morën gjithashtu tre grupe dokumentesh të klasifikuara si sekrete dhe tre grupe letrash të klasifikuara si konfidenciale, niveli më i ulët i klasifikimit.
Ndërkohë lista nuk përshkruan asnjë detaj për përmbajtjen e ndonjë prej dokumenteve të klasifikuar.
Por çfarë përmbante urdhri i kontrollit?
Urdhri i nënshkruar nga një gjykatës federal i magjistraturës autorizonte agjentët e FBI-së për të kontrolluar zyrën e Trump dhe çdo dhomë magazinimi, të gjitha dhomat ose zonat e tjera brenda ambienteve të përdorura ose të disponueshme për t’u përdorur nga ish-presidenti dhe stafi i tij, duke përfshirë të gjitha strukturat ose ndërtesat në pronën e Trump.
Gjithashtu urdhri përcaktonte se po kërkohet për të gjitha dokumentet dhe të dhënat fizike që përbëjnë prova, si për kontrabandë, krim ose sende të tjera të zotëruara në mënyrë të paligjshme në shkelje të tre neneve të mundshme, duke përfshirë edhe një pjesë të Aktit të Spiunazhit, i cili ndalon mbledhjen, transmetimin ose humbjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare.
Urdhri përmend ndër të tjera edhe shkatërrimin e të dhënave dhe fshehjen ose gjymtimin e materialeve qeveritar.
Në mënyrë tipike, urdhrat e kontrollit flasin në terma të gjerë për atë që do të kontrollohet, qëllimin e kontrollit dhe krimet e mundshme që hetohen. Kur kërkimi përfundon, hetuesit japin një listë të pasurisë së sekuestruar, por kjo gjithashtu tenton të japë një përshkrim të përgjithshëm të sendeve, të tilla si letra ose kuti, pa përshkruar të dhënat e asaj që ato përmbajnë. Për shumicën e urdhrave të kërkimit, përshkrimi më i detajuar i hetuesve, për personat që duan të hetojnë mbi çështjen jepet me një deklaratë nën betim nga agjenti që kërkon urdhrin.
Në këtë rast, as qeveria dhe as Trump nuk propozuan publikimin e deklaratës së betimit, e cila ka të ngjarë të përmbajë shumë më tepër informacion rreth çështjes.
Por disa organizata të lajmeve e kanë bërë këtë kërkesë dhe gjyqtari që mbikëqyr çështjen i ka dhënë qeverisë afat deri në orën 17:00. Të hënën për t’iu përgjigjur mocioneve të tyre.