Aktualitet18 Shtator 2018, 10:52

Zbardhet vendimi për lirimin e nipit të Enver Hoxhës, kush është gjyqtari që ‘shpëtoi’ bosin e kokainës

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhet vendimi për lirimin e nipit të Enver Hoxhës, kush është gjyqtari që 'shpëtoi' bosin e kokainës

Nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, është liruar me kusht nga burgu, ku ndodhej për kokainë e kapur në laboratorin modern të Xibrakës. Vendimi i publikuar sot në media është firmosur më 13 shtator dhe mban firmën e gjyqtarit të Gjykatës së Fierit, Piro Sota.

Sipas këtij vendimi, trupi gjykues ka pranuar kërkesën e Ermal Hoxhës për pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit të të dënuarit, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, i dënuari Ermal Hoxha të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Ermal Hoxha u arrestua gjatë operacionit në Xibrakë dhe u dënua me 6 vite e 8 muaj burg për trafik narkotikësh mbetur në tentativë.

Në Xibrakë u zbulua një laborator i sofistikuar përpunimi kokaine më 14 janar të 2015 e lajmi bëri bujë në atë kohë. Ky ishte një prej operacioneve më të rëndësishme të zhvilluara nga policia në vitet e fundit.

Ermal Hoxha bashkë me tetë të pandehurit e dosjes, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total. Në nëntor 2017, Apeli i Krimeve uli ndjeshëm dënimet e dhëna ndaj tyre, pasi pranoi zbatimin e gjykimit të shkurtuar, duke i ulur çdo të pandehuri një të tretën e masës së dënimit.

Në prill të këtij viti nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, kërkoi të shpallej i pafajshëm, duke i bërë rekurs vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Lartë.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet ermal hoxha Kokainë laboratori i xibrakes