Sport 5 Shtator 2022, 18:15

Zbulohen detajet e kontratës së Levandovskit te Barcelona, rroga që ndryshon dhe frika nga plakja e sulmuesit polak

Shkruar nga Pamfleti
Zbulohen detajet e kontratës së Levandovskit te Barcelona, rroga

Zbulohen detajet e kontratës së Levandovskit te Barcelona, rroga që ndryshon dhe frika nga plakja e sulmuesit polak

Robert Levandovski e ka filluar mjaft mirë eksperiencën e tij te Barcelona, duke shënuar me rregullsi në radhët e katalanasve që në ndeshjet e tij të para me këtë skuadër duke u konfirmuar padyshim si një nga blerjet më të rëndësishme të klubit. Blerje për të cilën Barcelona ka shpenzuar jo pak.

Katalanasit kanë paguar 45 milionë euro në arkat e Bajernit të Mynihut, si dhe do të paguajnë edhe 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Por jo vetëm kaq, pasi është mësuar se klubi katalanas ka paguar me rroga shumë të larta futbollistin polak, pavarësisht krizës financiare që po kalon, si dhe i ka vendosur bonuse të rëndësishme në kontratë për trofetë e ndryshëm që fiton.

“Cadena SER Cataluña” ka zbuluar detajet e marrëveshjes mes palëve, që shohin Levandovskin të përfitojë një rrogë neto prej 10 milionë eurosh në sezonin 2022-2023, 13 milionë eurosh në 2023-2024, 16 milionë eurosh në 2024-2025 dhe 13 milionë eurosh në 2025-2026, që do të jetë viti i fundit i kontratës së tij.

Por Barcelona do të ketë mundësinë që të ndërpresë marrëveshjen me lojtarin që pas edicionit të tretë, nëse Levandovski do të luajë në më pak se 55% të ndeshjeve për zgjedhje teknike apo për shkak të  problemeve fizike. Një mënyrë me të cilën Barcelona ka dashur të mbrohet duke llogaritur se asokohe ai do të jetë 37-vjeçar.

Ndërkohë, do të ketë bonuse të rëndësishme për trofe të ndryshëm që mund të fitojë klubi dhe ai personalisht gjatë këtyre viteve, nga të cilat ai do të përfitojë nga 0,3 milion deri në 1 milion euro për secilin prej tyre.

Sport Barcelona Robert Levandovski sulmuesi polak