UEFA maksimalisht e shqetësuar nga ndërhyrjet politike në zgjedhjet e Federatës së Futbollit, do të dërgojë këto ditë njerëzit e saj në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me këto çështje, duke ngritur edhe shqetësimin në lidhje me sigurinë e organizimit të finales së Konferencë Ligës në Tiranë, në dritën e ngjarjeve të fundit që ishte edhe tritoli në shtëpinë e presidentit të FSHF-së, Armando Duka.
Zëdhënësi i FSHF-së, Fatjon Kodra në një lidhje direkte për “Fax Sport” nuk e fsheh rrezikun që këto lajme mund të ndikojnë në mbajtjen e Konferencë Ligës në Shqipëri.
“Ata kanë shprehur solidaritetin e tyre me zotin Duka. Infantino ka kontaktuar personalisht z.Duka, dhe e njëjta gjë ka ndodhur nga drejtues të shumë federatave në të gjithë botën.
Duhet të kemi parasysh që UEFA dhe FIFA informohen vazhdimisht për situatën tonë. Duke qenë se jam pjesë e grupit të punës që merret me “Conferencë League”, situata nuk është shumë e favorshme për Shqipërinë. UEFA kërkon garanci që kjo finale të luhet, por kjo është e pamundur të bëhet, duke pasur një sfond të tillë të ndërhyrjes politike. Rreziku për të zhvilluar një event të tillë është vërtetë shumë i madh.
Kemi një informacion që së shpejti do të vijë delegacioni i UEFA-s. Grupi i punës ka muaj që vjen rregullisht çdo muaj, por vizita e radhës do të jetë më shpejt për shkak të situatës së krijuar tani dhe do të kërkojë garanci jo vetëm nga FSHF-ja, por dhe nga shteti shqiptar.” Përfundoi zëdhënësi i Federatës.