Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar më shumë mbështetje për të përballuar agresionin rus. Duke folur përmes një lidhje online në Samitin e NATO-s në Madrid, ai tha se Ukraina ka nevojë për më shumë armë të rënda dhe më shumë mbështetje financiare.
“Ne na duhet të ndalim avantazhin e artilerisë ruse…ne na duhen më shumë sisteme moderne, artileri moderne. Kjo nuk është luftë që ka nisur nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është luftë për të diktuar kushtet në Evropë për atë sesi do të duket e ardhmja në botë”, ka thënë Zelensky.
Më tej ai ka deklaruar se Ukrainës i duhen 5 miliardë dollarë në muaj për mbrojtje kundër agresionit rus. Më tej Zelensky bëri thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë, të cilat do t’ia pamundësojnë këtij shteti sigurimin e parave për luftë.
“Rusia ende merr miliarda dollarë çdo ditë dhe i shpenzon ato për luftë. Ne kemi deficit në vlerë të disa miliarda dollarëve, ne nuk kemi naftë dhe gaz për ta mbuluar atë”, ka thënë Zelensky.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të aleancës.