Bota29 Prill 2022, 10:47

Zelensky në kopertinën e “TIME”: Të pathënat e luftës, si po udhëheq Presidenti i Ukrainës?

Shkruar nga Pamfleti

Zelensky në kopertinën e “TIME”: Të pathënat e luftës, si po udhëheq Presidenti i Ukrainës?

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një rrëfim ndryshe për luftën, duke treguar të pathëna rreth saj.  Ai ka zbuluar për herë të parë se forcat ruse ishin shumë afër kapjes dhe vrasjes së tij në orët e para të pushtimit.

Gjatë një interviste për median “Time”, Zelensky ka treguar se koha e tij në krye të Ukrainës mund të kishte përfunduar pak orë pas pushtimit. Ai ka thënë se trupat ruse ishin shumë afër ta gjenin atë dhe familjen, teksa po tentonin të merrnin kontrollin e pallatit presidencial.

Në momentin që filluan bombardimet, ai dhe gruaja Olena shkuan për t’i thënë vajzës 17-vjeçe dhe djalit 9 vjeç, që të bëhen gati të largohen nga shtëpia.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI
“I kemi zgjuar. Ka qenë me shumë zhurmë. Ka pasur shpërthime”,
shtoi presidenti ukrainas.

Ushtria ukrainase i kishte thënë se ekipet e parashutistëve rusë kanë rënë në Kiev, për ta vrarë apo zënë rob atë dhe familjen e tij.

“Një natë më parë, gjëra të tilla kemi parë vetëm në filma”, tha për Time, Andrij Jermak, shef i kabinetit të Zelenskyt.

“Të shtënat filluan rreth ndërtesës së qeverisë pasi u errësua në ditën e parë të luftës. Rojtarët fikën dritat, sollën jelekët antiplumb dhe pushkët për Zelenskyn dhe dhjetëra ndihmës të tij”, kujton momentin.

E një prej zyrtarëve të paktë që ka ditur të përdorë armën ishte Oleksiy Arestovych, veteran i kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës.

“Ka qenë çmenduri fare”, tha Arestovych për Time.

Trupat ruse tentuan dy herë të futen në kompleks derisa familja e Zelenskyt ishte brenda. Të nesërmen, pasi refuzoi ofertat përfshirë evakuimin e tij nga forcat amerikane dhe ato britanike që i mundësuan formimin e qeverisë në ekzil, Zelensky doli në oborr për të filmuar videon tashmë të njohur me telefonin e tij.

Në atë moment Zelensky tha se tani është i vetëdijshëm plotësisht për rolin e tij në luftë.

“E kuptoni se ata ju shikojnë. Ju jeni simbol. Duhet të silleni ashtu siç sillet një lider i një shteti”, tha Zelensky.

Por si është një ditë e Zelenskyt?

Brenda bunkerit të tij, presidenti ka një zakon për të parë agjendën edhe kur dita mbyllet. Ai qëndron shtrirë dhe vret mendjen nëse i ka shkarë ndonjë detaj apo mos harruar ndokënd.

“Është e kotë”, ia përshkruan situatën ai gazetarit të revistës “TIME”, Simon Shuster. “Është e njëjta agjendë. E shoh se e kam mbyllur për sot. Por prapë e rishoh disa herë agjendën sepse kam ndjesinë se diçka ka shkuar keq”.

Sipas Zelenskyt, nuk është ankthi, ai i cili e mban atë larg mbylljes së syve për të pushuar, por ndërgjegjja që e shqetëson.

Të njëjtat mendime kalojnë në kokën e tij…

“E lashë veten të fle, po tani çfarë? Diçka duhet të jetë duke ndodhur tani”.

Bombat në Ukrainë vijojnë të bien diku. Rusët vijojnë të kryejnë krime lufte, përdhunime, tortura. Raketat po sheshojnë qytete të tëra.

Mariupoli dhe mbrojtësit e fundit të tij janë duke u mbrojtur nga të fundmit qëndrestarë. Një betejë kritike ndërkohë, ka nisur në Lindje.

Në të gjitha këto, Zelensky, komediani i bërë President, ende duhet ta mbajë botën të angazhuar dhe të bindë liderët e huaj se vendi i tij ka nevojë për ndihmë, me çdo kusht.

Jashtë Kievit, Zelensky i rrëfeu Shusterit se “njerëzit e shohin këtë luftë në Instagram, në media sociale dhe kur mërziten nga ajo, kalojnë në diçka tjetër”.

Kjo është natyra njerëzore sipas tij.

Misioni i tij, është të bëjë botën e lirë të përjetojë luftën në Ukrainë ashtu si ukrainasit e ndjejnë: një çështje mbijetese!

Duket se ai po ia del. SHBA-të dhe Evropa kanë nxituar ta ndihmojnë, duke i siguruar më shumë armë Ukrainës. Më shumë se sa i kanë dhënë ndonjëherë ndonjë shteti që pas Luftës së Dytë Botërore.

Mijëra gazetarë kanë ardhur në Kiev dhe e kanë mbushur kutinë e tij postare me kërkesa për intervista.

Kërkesa jo thjesht për të parë kush presidenti Zelensky është, por edhe kush është babai, vëllai, fqinji, bashkëkombësi Volodymyr.

Bota president TIME udhëheqje Ukrainë. Volodymyr Zelensky