Aktualitet26 Korrik 2018, 08:45

Zerohet ndikimi i Ilir Metës në Drejtësi, ngritja e KLGJ e KLP zbeh kopetencat e KLD-së

Shkruar nga Pamfleti
Zerohet ndikimi i Ilir Metës në Drejtësi, ngritja e KLGJ e KLP

Zerohet ndikimi i Ilir Metës në Drejtësi, ngritja e KLGJ e KLP zbeh kopetencat e KLD-së

Pavarësisht sulmeve politike në adresë të Reformës në Drejtësi, KPK i ka hapur rrugën ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLGJ dhe KLP kanë secili nga 11 anëtarë, ku 5 prej tyre i zgjedh Kuvendi. Nga ana tjetër mungojnë edhe 12 emrat që do të përfaqësojnë Gjykatat dhe Prokuroritë. 

Sipas ligjit, 6 anëtarët e KLGJ-së i zgjedh Konferenca Gjyqësore, ndërsa 6 anëtarët e mbetur të KLP-së, Këshilli i Prokurorisë.  Nga ana tjetër, situata premtuese duket edhe te Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi deri më tani kanë kaluar me sukses procesin e vetingut 4 nga 6 kandidatët e nevojshëm.

Ndërkohë që janë edhe shumë prokurorë që pritet t’i nënshtrohen vetingut, ku mes tyre ka emra me integrim që pritet ta kalojnë këtë proces, duke bërë që edhe për KLP, gjashtë kandidatët e nevojshëm të jenë gati. Ç’ka do të thotë se në shtator me shumë gjasa do të bëhet realitet ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ja çfarë sjellin KLGJ e KLP

Ngritja e KLP-së dhe KLGJ-së i hap rrugë edhe SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas ligjit, këto dy organe ngrihen dy muaj pas konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gazeta ”SOT” ka bërë një përllogaritje se SPAK dhe BKH me shumë gjasa do të jenë gati në fund të muajit nëntor ose në fillimi të muajit dhjetor, kohë kjo në të cilën pritet të nisë fuqishëm lufta anti-korrupsion. Megjithatë, ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor çon automatikisht edhe në shkrirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së drejtuar nga Ilir Meta. Edhe pse aludohej se KLD do mbijetonte edhe për pak kohë, me ngritjen e KLGJ, ky institucion është i sigurtë që zhduket.

KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Faqolli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi ditën e djeshme në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli. Ai ishte i pranishëm së bashku me avokatin e tij në seancën e Komisionit, kur iu komunikua vendimi nga trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Genta Tafa.

Gjyqtari Faqolli arriti të kalojë me sukses vetingun edhe pse në seancën dëgjimore, KPK konstatonte se DSIK ka paraqitur një raport i cili konstaton papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. Madje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se gjyqtari nuk kishte deklaruar 2 llogari bankare të bashkëshortes, ndërsa gjithashtu kishte shkelur ligjin duke e plotësuar deklarimin e tij me lekë të vjetra.

“KPK konstatoi mospërputhje mes deklaratës në veting dhe asaj të vitit 2006 lidhur me një apartament banimi me sipërfaqe 83 metra katrorë në Tiranë, porositur për 42 mijë euro dhe blerë në 2015”, deklaroi KPK. Megjithatë, pritet zbardhja e vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për të parë argumentimin e kësaj vendimmarrjeje.

Aktualitet KLGJ KLP Reforma në Drejtësi