Politike28 Janar 2023, 14:55

Zgjedhjet e 14 Majit/ Pas Berishës, Meta dorëzon në KQZ kandidaturat për anëtar të KZAZ-ve

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet e 14 Majit/ Pas Berishës, Meta dorëzon në KQZ

Pas Rithemelimit të Sali Berishës, edhe Partia e Lirisë ka dorëzuar në KQZ kandidaturat për anëtar të KZAZ-ve për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ditën e nesërme ose të hënën, pritet që edhe grupi i Enklejd Alibeajt të dorëzojë kandidaturat e tyre, pasi afati i vendosur nga kryekomisoneri Ilirjan Celibashi është 29 janari.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë propozime për anëtarë dhe kryetarë të 92 komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nga të gjitha subjektet politike, por në rastin e PD-së së Alibeajt dhe asaj të Rithemelimit, kryekomisioneri do t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës, për të marrë përgjigjen se kush është mes të dyve organi drejtues i Partisë Demokratike.

Deri më tani, në gjykatën e Tiranës rezulton ende kryetar Lulzim Basha që dha dorëheqjen, ndërsa vendimi që pritet të ndajë përfundimisht se kush e ka drejtimin e partisë mes kryetarit të komanduar Alibeaj dhe Berishës, është ai i Apelit që deri më tani është shtyrë disa herë. Megjithatë, për të shmangur ngërçet e mundshme, gjykata duhet të vendosë të paktën deri më 6 mars kur është edhe afati i fundit për regjistrimin zyrtar të partive politike në KQZ për garën elektorale të 14 majit.

Sipas shortit të hedhur në KQZ komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor me numër çift do t’i drejtojë Partia Socialiste, dhe ato ato me numër tek Partia Demokratike. Ndërkohë anëtarët e KZAZ-ve do të ndahen 2 PS, 2 PD, 1 PSD e Tom Doshit dhe 1 anëtar nga Partia e Lirisë.

Politike # 14 Maji Berishës KQZ anëtarët e KZAZ-ve Partia e Lirisë