Kosova25 Nëntor 2022, 21:54

Zgjedhjet e parakohshme në veri, Vjosa Osmani cakton 25 dhjetorin për të votuar në Zveçan dhe Leposavić

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet e parakohshme në veri, Vjosa Osmani cakton 25 dhjetorin për

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 25 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviçit në veriun e Kosovës, pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet vendase.

Shpallja e zgjedhjeve në këto komuna pasoi vendimin e fillimit të nëntorit të përfaqësuesve politik të serbëve për t’u dorëhequr nga të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave.

Presidentja Osmani ka caktuar 18 dhjetorin datë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur të premten se tashmë ka përfunduar periudha e kandidimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit për kryetarë në katër komuna e veriut.

Sipas KQZ-së për këto zgjedhje kanë kandiduar gjashtë subjekte politike: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia Kosovskih Srba (Partia e Serbëve të Kosovës), një kandidat i pavarur, Lëvizja Vetëvendosje dhe Iniciativa qytetare “Srpski Opstanak” (Mbijetesa Serbe).

Këto zgjedhje po bojkotohen nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në komunat me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia u pajtuan të mërkurën në Bruksel për çështjen e përdorimit të targave të makinave në veriun e Kosovës. Pajtimi u mirëprit nga diplomacia perëndimore si një hap u rëndësishëm për shmangien e tensioneve.

Ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka, tha të premten gjatë një vizite në Prishtinë se marrëveshja ndihmon jo vetëm uljen e tensioneve por krijon edhe kushte shumë më të përshtatshme për t’u përqendruar me urgjencë tek arritja e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Prishtine Kosovës veri Zgjedhjet