Sali Berisha ka hedhur hapat e parë të krijimit të partisë së re pas dështimit për të marrë me dhunë Partinë Demokratike. Së bashku me mbështetësit e tij, Berisha ka pranuar se do të shkojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashki, me një listë të tyren.
Komisioni i Rithemelimit ka propozuar disa nga emrat që do të kandidojnë në zgjedhjet që do të zhvillohen më 6 mars në Bashkinë e Lushnjës, ku disa nga më të spikaturit janë Arben Zjami, Daniel Shandro dhe Nevila Bami. Gjatë takimit me mbështetësit në Lushnje, Klevis Balliu deklaroi se “emrat e propozuar për kandidatë për kryetar bashkie do të votohen nga anëtarësia e PD”.
“Sipas statutit të ri të miratuar më 11 Dhjetor përzgjedhja do të bëhet brenda partisë dhe më pas do të votohet nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Propozimet kanë afat deri më 24 janar dhe më pas do të vendoset për kandidatin. Koha kur kandidatët përzgjidheshin në bazë të aferave dhe interesave personale të kryetarit ka marrë fund, sot demokratët zgjedhin vetë. Lul Brava i merr propozimet nga Rama“, tha Balliu.