
Rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa ka reaguar mbi zgjedhjet për anëtarët e rinj të Bordit të Administrimit.
Një ditë më parë “Pamfleti” publikoi një artikull, duke deklaruar se ministrja e Arsimit Evis Kushi po tenton të emërojë në Bordin e Administrimit të Universitetit të Sporteve, këshilltaren e saj dhe jo të zgjedhurin e studentëve.
Sipas ligjit, nga 7 anëtarë që ka bordi, 3 i zgjedh vetë universiteti në ILAL-të që sigurojnë deri në 50 për qind financim dhe një prej tyre votohet nga studentët. Sipas të dhënave të siguruara nga “Pamfleti”, në votimin e studentëve në Universitetin e Sporteve më i votuari doli sportisti elitar i boksit, Dr. Sead Bushati, ndërsa e dyta doli Rovena Elmazi, këshilltare në Ministrinë e Arsimit. Pyetja që u ngrit nga ne ishte se përse ministrja nuk ka firmosur ende emërimin e zotit Bushati si anëtar bordi?
Vetë rektori në reagimin e tij shprehet se ai nuk e ka shpallur ende fituesin për shkak të kohës që u është lënë kandidatëve të ankimojnë rezultatin dhe nuk i ka dërguar ende emrat në ministri.
“Duke marrë shkas nga një lajm i publikuar në Portalin “Pamfleti” më date 16.01.2023 rreth procesit zgjedhor të organizuar nga Universiteti i Sporte të Tiranës për një anëtar të Bordit të Administrimit, përfaqësues të studentëve, sqarojmë se:
Vërtet në Universitetin e Sporteve të Tiranës në datën 12.01.2023 janë organizuar zgjedhjet për një anëtar të Bordit të Administrimit, sipas kërkesave të VKM 782. datë 26.12.2018. Ky proces, u zhvillua në mënyrën me korrekte sipas rregullores së përcaktuar për këto zgjedhje dhe unë në cilësinë e Rektorit të UST-së ende nuk kam marre zyrtarisht vendimin për shpalljen e fituesve nga ana e Komisionit Institucional Zgjedhor (KIZ), për arsye procedurale të ditëve të lejuara për ankimimin e rezultatit nga kandidatet pjesëmarrës (11 kandidatë)”, shprehet rektori.
“Pamfleti” vlerëson reagimin e rektorit, ndërkohë që duam të theksojmë se qëllimi i lajmit tonë është që të parandalojnë emërimet nepotike në borde. Sead Bushti është zgjedhur nga vetë studentët dhe në ministri duhet të shkojë emri i tij. Ndërkohë Rovena Elmazi është në konflikt interesi, pasi është këshilltare në Ministrinë e Arsimit dhe nuk duhej të kandidonte fare. /Pamfleti