
Zgjohu Bajram Bej se Shteti ka rënë!
Dikush duhet ta ftillojë Presidentin e Republikës, se në atë detyrë nuk është për t’u krekosur, për të firmosur dekrete, për të dredhur tespihet, e as për të përmbushur defiçencat e gruas, por për të mos e lënë Shtetin të bjerë…
Bajram Bej, Shteti ka rënë! Jo nga tërmeti, sepse shteti nuk janë ndërtesat, por institucionet, vendimet, ligjet e dokumentet konfidenciale, që tashmë i dinë të gjithë, sepse hakerat dolën më të aftë se Shteti, shteti ynë i degraduar për të cilin kryeministri tha, se nuk ka fuqi ta ndalë ndërtimin e kullave.
Për këtë katrahurë të shkaktuar më shumë me qëllim se nga paaftësia, po zien shoqëria e mediat, jo për t’u marrë me fjalë, siç thotë kryeministri, por nga fakti që shteti nuk mbron dot as veten e tij.
I vetmi që nuk po flet në këtë situatë të rëndë është Kryetari i Shtetit.(!) Kur duhej të reagonte i pari, por ende hesht, sikur nuk ekziston, ndaj dikush duhet ta zgjojë e ti thotë: Zgjohu Bajram Bej! Lëri tespihet dhe vepro, sepse e ke detyrë dhe detyrim Kushtetues, të mbledhësh Këshillin e Sigurisë Kombëtare; e t’i kërkosh sqarime kryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës, se përse sistemi i të dhënave shtetërore u thye kaq lehtë.
Të kërkosh sqarime, se përse pas sulmit të parë nga hakerat, kryeministri Rama nuk përforcoi sistemin e sigurisë, por mashtroi se nuk ishte prekur asgjë, siç bëri edhe pas sulmit të 9 shtatorit.
Sepse, Bajram Bej, nuk kanë dalë të dhëna për konkubinat e Bablokut (ato i dinë të gjithë tashmë), por është shqyer dhe grabitur krejt baza e të dhënave të sistemit TIMS; janë marrë shkresat e komunikimit brenda policisë, SHISH, Kufirit, Anti-Terrorit, Anti- Trafikut dhe komunikimit mes tyre e partnerëve.
Ka zëra se janë marrë dhe të dhënat e Ministrisë së Jashtme, të Ministrisë së Mbrojtjes, të Prokurorisë e SPAK, për të cilat kryeministri Edi Rama, vazhdon mashtron se janë të sigurta e sulmon mediat, ndërkohë që hakerat po publikojnë dokumente sekrete.
Bajram Bej! Si Kryetar Shteti, keni të drejtën dhe detyrimin, t’i kërkoni llogari Ministrit të Brendshëm, se përse në strukturën e gjurmimit dhe goditjes së anti- krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, ka vetëm 30% të numrit të organikës së agjentëve, gjysma e të cilëve të pa specializuar.
Duhet t’i kërkoni sqarime drejtuesve të SHISH, se përse nga 110 agjentë kibernetikë që duhen, janë vetëm 15 të tillë dhe këta me kurse auto- didakte e jo me specializime në agjencitë e huaja.
Keni detyrimin t’i kërkoni llogari Kryeprokurorit e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, se përse 90% e OPGJ-ve që hetojnë krimet kibernetike, nuk kanë fare njohuri në këtë sektor.
Megjithëse keni 2 muaj në detyrë, ju nuk po reagoni as ndaj planit të sundimtarëve të PS, PD, LSI, për ta bërë copë-copë Shqipërinë, me ndarje në bajraqe personale. Si Kryetar Shteti, nuk reaguat as kur kryeministri shkarkoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ngaqë ai denoncoi faktin, se shefat në ministri janë të lidhur me kriminelët dhe dekonspirojnë aksionet.
Prej disa ditësh zoti President, nuk po reagoni as për skandalet e rënda, që krerët e PD e LSI, kanë bërë lobime me financime ruse; por as për skandalin e rëndë, që kryeministri Edi Rama, ka pritur në zyrë anëtarë të kartelit meksikan të drogës “Sanaloa”.
Në atë detyrë nuk jeni zgjedhur për t’u krekosur e për të dredhur tespihet, e as për të përmbushur defiçencat e gruas, por për të mos e lënë Shtetin të bjerë… Për të mos e lënë vendin të bëhet çiflik i 3-4 familjeve mafioze e “lavatriçe” e pastrimit të parave të krimit të Ballkanit, Azisë e Afrikës. Për të mos e kthyer vendin në shesh vjedhjesh të 20-30 hajduteve me maska oligarku, dhe as “gërmadhë” social-ekonomike që braktiset nga populli i tij. Zgjohu Bajram Bej!/Pamfleti