Ekspertë italianë kanë zbarkuar në Pukë ditën e sotme në vendin, ku u gjet e djegur makina e biznesmenit italian, Davide Pecorelli. Ata shoqërohen në këtë inspektim në vendin ku u gjet e djegur makina e biznesmenit nga Tonin Vocaj, Drejtori i Policisë Kriminale. Ardhja e tyre në Shqipëri ishte paralajmëruar pak ditë më parë në mediat italiane. Më herët ata kanë shprehur dyshimet për punën që kanë bërë autoritetet shqiptare duke i cilësuar si të vonuara.
Ekspertët italianë do të zhvillojnë një takim në komisariatin e Pukës në orën 14:00. Makina e biznesmenit Davide Pecorelli, tip Skodia Fabia, u gjend e shkrumbuar në Pukë me disa eshtra brenda, pasi partnerja e tij shqiptare kishte denoncuar zhdukjen e tij.
Pritet përgjigja e rezultateve të ADN-së së eshtrave të gjendura në makinë, të cilat do të krahasohen me ato të vëllait të rritur që jeton në Lama di San Giustino për të zbardhur nëse bëhet fjalë për biznesmenin Davide Pecorelli apo jo.
Në pyetje është marrë edhe partnerja shqiptare e Davides që ka edhe një fëmijë me të. Biznesmeni italian, i cili kishte pasur vështirësi financiare në vendin e tij, kishte ardhur në Shqipëri me shpresën për të zgjeruar biznesin.
Davide Pecorelli rezulton i zhdukur që prej gjashtë janarit. Mbrëmjen e datë tetë janar u gjet mjeti i djegur i biznesmenit italian dhe që aty nisën hetimet.