Kronike28 Mars 2022, 12:19

Zjarri në komisariatin e Kamzës, flet i dënuari Dilaver Idrizi: Nga qelia më nxori polici Boja

Shkruar nga Pamfleti
Zjarri në komisariatin e Kamzës, flet i dënuari Dilaver Idrizi:

Zjarri në komisariatin e Kamzës, flet i dënuari Dilaver Idrizi: Nga qelia më nxori polici Boja

Detaje të tjera kanë dalë në dritë, dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Komisariatin e Kamzës, ku flakët  i morën jetën një personi.

Polici i plagosur Hajredin Boja ende nuk ka dhënë dëshminë e tij për shkak të gjendjes shëndetësore.

Ndërsa i plagosuri tjetër Dilaver Idrizi është shprehur se është nxjerrë nga dhomat e izolimit nga punonjësi i policisë Boja, përgjegjësi i dhomave të izolimit: “U nxora nga dhomat e izolimit nga efektivi Hajredin Boja”.

Ditën e ngjarjes të shoqëruar kanë qenë edhe dy persona të tjerë, që janë nxjerrë nga efektivë të tjerë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije zjarri ka rënë ne orën 20:53 dhe rreth 30 minuta më pas kanë mbërritur forcat zjarrfikëse. Fillimisht dy efektivët kanë tentuar të shuajnë zjarrin vetë, dhe kur flakët janë përhapur janë telefonuar forcat zjarrfikëse.

Si ndodhi ngjarja?

Zjarri në komisariatin numër 5 në Kamzë dyshohet se është vënë nga 26 vjeçari Arben Mici, i cili ndërroi jetë për shkak të plagëve që mori nga flakët, por edhe nga asfiksia. I riu nga fshati Çekrez, ishte arrestuar pak ditë më parë me akuzën e dhunës në familje, e konkretisht ndaj nënës. Mëngjesin e të shtunës ai doli në Gjykatën e Tiranës ku u njoh me masën e sigurisë “arrest në burg”. Pas shpalljes së vendimit, ai u dërgua sërish në komisariat dhe këtë të diel do të transportohej në qelitë e burgut. Por mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, në rrethana ende të paqarta i vuri flakën dyshekut. Mësohet se oficeri i sigurisë në dhomat e paraburgimit, Hajredin Boja vuri re veprimin e të riut, hapi derën dhe i kërkoj atij që të dilte prej aty e të dërgohej në një ambient tjetër. Por, 26 vjeçari në një moment i shpëtoi nga duart dhe u fut në tualetin e dhomës së paraburgimit. Aty, ai u gjet i asfiksuar e me plagë në trup nga shërbimet zjarrfikëse. Në spital për ndihmë mjekësore u dërgua edhe një i paraburgosur që ndodhej në dhomën ngjitur, 62 vjeçari Dilaver Idrizi. Edhe për të, gjykata dje kishte caktuar arrest në burg për tentativë vrasje të bashkëjetueses. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën me 20% djegie në trup. Ndërsa efektivi 64 vjeçar Hajredin Boja, ndodhet i shtruar dhe jashtë rrezikut për jetën, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme në QSUT. Ai mori lëndime nga asfiksia.

Kronike #Hajredin Boja #Zjarri në komisariatin e Kamzës Dilaver Idrizi: