
‘Zogu është i lirë’, BE i përgjigjet Musk: Në Europë, do fluturojë sipas rregullave tona
Fjalët e para të Elon Musk pasi bleu zyrtarisht Twitter për 44 miliardë dollarë ishin se “zogu është i lirë”, duke iu referuar logos së rrjetit social dhe censurave që pronarët e mëparshëm kishin aplikuar deri më tani.
Gjithsesi, “zogu” nuk do të jetë tërësisht i lirë në Europë, pasi BE ka kushtet e veta, të cilat janë parashtruar ligjërisht. Platforma Twitter do të duhet të përshtatet në Europë me rregulloren për platformat kryesore, që sapo është miratuar.
Ky ishte paralajmërimi që bëri Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, i cili është edhe iniciatori për legjislacionin.
Duke iu përgjigjur Musk, që postoi mbrëmë në Twitter se “zogu është i lirë” pasi mori kontrollin e platformës për 44 miliardë dollarë, Breton shkroi në Twitter: “Në Europë, zogu do të fluturojë sipas rregullave tona evropiane”.