Editorial17 Nëntor 2022, 11:01

Zonja Kim, të paktën dy rreshta sa kulinaria në Dibër, i meriton media që guxon

Shkruar nga Pamfleti
Zonja Kim, të paktën dy rreshta sa kulinaria në Dibër, i

Zonja Kim, të paktën dy rreshta sa kulinaria në Dibër, i meriton media që guxon

Heshtja institucionale, ngjan si presion i mafies mbi median, për ata që ia njohim ‘dhëmbë e dhëmballë’ shtypit dhe shtypjes…

Shkruan Sokol Pepushaj

Sapo Kastriot Myftaraj doli nga zyra e ambasadores Yuri Kim, hyri Adriatik Doçi. Kastrioti, meqë i vdekur se i vdekur, i kishte treguar me emra vrasësit, kurse Adriatiku nuk thotë asnjë emër, se mund ta vrasin, sapo të dalë në rrugë.

Ju e dini se punët e mëdha enden vrimave të vogla, larg syve të njerëzve. 

Pasi u identifikuan raketat në Poloni, këtu ende po flitet sa të rëndë e kanë grushtin banditët, si shajnë, si qëllojnë… 

Pse të bëhet bujë kjo punë?

Për derisa  nuk u zografis takimi as në facebook, dikush e ka frikë debatin, apo jemi gabim? Të paktën dy rreshta, sa kulinaria në Dibër, i meritonte media që investigon, që guxon, që as joshet, as trembet, por ç’i bësh kësaj kohe, ku edhe “Peshqit” nuk ka peshkatar t’i kapë…

Heshtja institucionale, ngjan si presion i mafies mbi median, për ata që ia njohim ‘dhëmbë e dhëmballë’ shtypit dhe shtypjes.

Se po, mafia këtë kërkesë ka si kompensim për mospublikime esenciale të materialeve që kanë hackerat iranian të Sali Berishës.

Pra, pse ta fshehim, të gjithë, me qeveri, opozitë, e kushdo nuk mban qëndrim institucional, më e lehta nuk e njohin Adriatik Doçin për gazetar, më e rënda nuk e duan të gjallë, si Kaçin pra.

Asgjë nuk është e çuditshme sot.

Ende 25 për qind e amerikanëve s’besojnë se Toka sillet rreth Diellit, dhe s’është qameti.

Rëndësi ka të na piqen e të mos na digjen jufkat, të bëhen milionerë ata që kanë rroga disa fish më pak se Adriatik Doçi që s’ka as resort, as hotel, as prona si kolegët e vet.   

Po në cilën “sofër” po “përtypet” ky?

Gjithmonë në cep, në vëmendje e respekt të audiencës, paçka se për SPAK-un është një “Ufo” që ka ç’koduar disqet e hajdutëve  Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama, dhe ka ndërhyrë në linjat, siç shprehen këta të KESH-it, të paligjshme, të  ndërkombëtarëve.

Ka “vjedhur” informacion.

Gazetari që nuk deformon të vërtetën, që nuk korruptohet, cilësohet vërtetë si ‘ufo’ në mes këtij realiteti gri.

Prandaj i zunë pritë, i dhanë një “dajak” dhe e nisën për një bisedë të thatë në një legatë. Po, gazetarët që thonë të vërtetën, dhunohen, diferencohen, “vriten”, se nuk i mbron as ligji, as qeveria, askush.

Atyre që u “kruhet” kurrizi mirë e kanë, pse dalin në vijën e pare?

Betejat e shtypit gjithmonë kanë risk. Kush ka kaluar disa ‘derzhava’ e di mirë ç’ka hequr. Diktatori Enver Hoxha ishte i egër, por ama, nuk ulej kaq poshtë, të “vriste” fjalën e lirë.

Personalisht, më 1985, kam botuar në “Zëri i Popullit” shkrimin “Ujësjellës që nuk sjell ujë”, të cilin e kishin përuruar kryeministri Adil Çarçani dhe anëtari i Byrosë Politike Muho Asllani.

Nuk më dhunoi askush, nuk më përçmoi askush, por më burrërisht se tani, mes kolegësh, u peshuan “mëkatet”. Ani se merr një barrë të huajën, por nuk dhunohesh.

Pas 37 vitesh shtypi nuk shtypet, por i del banda në cep të rrugës dhe ja “laton” kokën, i zdrukthon” kurrizin, edhe  e vret. Se Kastriot Myftaraj u vra në mes të Tiranës, në shkretëtirë pa njerëz e kamera.

Kush i ka faj Kaçit që vdiq? Pse nuk ra shëndosh nga kati i katërt? Po pra, edhe pse i ka treguar vrasësit me emër e mbiemër, prapë nuk flitet gjë.

Pastaj, nuk është mire që mafia ta vrasë prapë Kastriot Myftarajn dhe ta rrahë prapë Adriatik Doçin.

Jo veç këta, po cilido nguc mafien, nuk plotësojnë asnjë kusht si gazetar për Bablokun, Saliun, Ilirin, diplomatët, Çunat e Londrës dhe kolegët që kanë vila në Gji të Lalzit, Kodrën e Diellit e para edhe atje ku Dielli fut kokën në “ujë” e niset për gjumin 12 orësh.

Vrasësit jo veç përgatitin lajmin, por edhe hyjnë në histori.

Hyjnë e dalin sa herë duan, rrugëve ku fiken kamerat për vrasje, vjedhje, dhunime e deri radarët e NATO-s për trafik droge. 

Edhe pse pa emër, nuk ka shqiptar e prokuror që nuk e di kush i fikte radarët me 10 000 dollarë ora, se kush ka folur publikisht në emër të ambasadës amerikane duke orientuar me presion votën pro kriminelëve e hajdutëve. Babloku i vodhi votat duke vënë kushte partie kush pajiset me vizë amerikane e kush refuzohet.

More që është çmendur edhe Babloku si të tjerët, kjo dihet, po pse heshti ambasada, kjo është çështja?

Libri “Damian Tërmeti”, faqja 99, viti 1500, Dibër.

Librin e Damianit e lexojnë shumë.

Nëse një gazetar nuk është pjesë e mafies, nuk është gazetar. Ata janë në një listë tjetër.  Nëse ua thyen dikush kaptinën, i lumtë dora, heshtin të gjithë, nëse duan të vizitojnë Amerikën, këtë e  vendosë Babloku, siç ka deklaruar.

Le të jenë prej shumë dekadash të përditshëm në media, le të fitojnë para djerse sa disa herë kryeministri, kujt i plasi. Me 3000 dollarë në muaj je fukara. Duhet të kesh 2000 si Edi Rama ose 1000 si deputetët, të bëhesh milioner. Prandaj për Adriatik Doçin ka vetëm heshtje, se nuk është gazetar…

Banditët, pasi bëjnë krimin ulen para televizionit vlerësojnë debatin rreth tyre. Nuk guxon t’ua prishë terezinë as prokurori, as media, as qeveria, as opozita, as diplomacia, se ata kanë komandën për të tëra “stacionet”  e “TV Dollarit”.

Këta, i njeh qeveria, paraja, opozita, e nuk mund të ketë asnjë në krah të medias së lirë.

Nëse dikush i fut krahun medies, mafia i mbyllë “pusin” e naftës, ose edhe defterët e regjistrit të gjendjes civile.

Se po, të gjithëve u vjen era naftë, parfum të shtrenjtë, viagër. 

Shtëpia e shtypit është plot mistere. Të gjithë diskutojnë si të ishte vrarë Adriatik Doçi. Secili kërkon të japë mendimin e tij në këtë sëmbim të keq, plus edhe dashakeq.

Vetëm një gjë mos e pritni shqiptarë, se hap sqepin diplomacia kundër mafies që sundon gjithçka, me para, liri, vrasje. Rasti konkret është pjesë e qenësishme e kësaj. Ja, mos i arrestoni banditët nëse ju duhen, thjeshtë deklaroni mbështetje publike, dhe u themi, ju lumtë!

Por ani, meqë jemi tek heshtja e diplomacisë, e zëmë se të paktën kur largohen do të rrinë urtë, si Joseph Limprecht, ndjesë pastë. Po prapë lopa pëllet, sa e dëgjojnë të tërë. Edhe kur na lënë rehat, na lënë pas shamatën në shtëpi; kjo parti s’bën, ky gazetari është kot fare, Belinda Balluku e Erion Veliaj janë që mos i paftë syri i keq i Çim Pekës, e, oh sa të shijshme jufkat e Dibrës!

Por tek e fundit prapë mirë, këtu ndahet shapi nga sheqeri dhe pikë e madhe shtypi.

Kujt i plasi se gazetarët e vërtetë i njeh, respekton e ndjek audienca, në krye të lajmit rri përherë mafia, e kënaqur, që përmes heshtjes jep mesazhin e koduar se derisa s’ka qëndrim institucional, ambasada amerikane nuk e njeh Adriatik Doçin gazetar, herën tjetër “vriteni”!/Pamfleti

Editorial #i meriton media që guxon #të paktën dy rreshta sa kulinaria në Dibër #Zonja Kim