Bota24 Tetor 2018, 16:34

Zotohet presidenti i Rumanisë: Shfarrosje totale të korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti
Zotohet presidenti i Rumanisë: Shfarrosje totale të korrupsionit

Zotohet presidenti i Rumanisë: Shfarrosje totale të korrupsionit

Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis u tha eurodeputet të martën se ai është i vendosur të mbetet i përfshirë në luftën kundër korrupsionit, pasi zyrtarët europianë shprehën shqetësime dy muaj përpara se Rumania është planifikuar të marrë përsipër presidencën e radhës gjashtëmujore të Këshillit Europian.

“Nuk dua të hyj në detajet e debatit të brendshëm, por mund t’ju siguroj se jam i vendosur të mbetem i përfshirë për të garantuar vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe vazhdimin e një lufte të ashpër, por të drejtë kundër korrupsionit,” u tha Iohannis eurodeputetëve.

Shefi i Komisionit Europian Jean Claude Juncker i tha Iohannisit të martën se shpreson që Rumania të arrijë konsensus mbi sundimin e ligjit dhe korrupsionin deri në fund të vitit, ose do të dëmtojë shanset e vendit për t’iu bashkuar marrëveshjes së Shengenit.

Fjalimi pozitive pro-europian i Iohannis vjen dy javë pasi kryeministrja social demokrate e Rumanisë, Viorica Dancila, ofroi një vizion krejtësisht ndryshe të qëndrimit të qeverisë rumune brenda Bashkimit Europian, pasi partia e saj e akuzoi Brukselin për ndërhyrje shumë të madhe në punët e brendshme të Rumanisë.

Dancila u thirr në Parlamentin Europian më 3 tetor për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me kabinetin e saj si dhe politikat e drejtësisë të partisë qeverisëse rumune, të cilat janë përshkruar si të dëmshme për sundimin e ligjit nga vendimmarrësit në Bruksel.

“Rumania është një vend europian dhe me siguri nuk do të largohet nga rruga pro-europiane dhe jua them këtë si një ish-kolege. Ju lutemi, kini besim te Rumania,” tha Dancila në atë kohë.

Social demokratët në pushtet në Rumania kanë nxitur ndryshime në sistemin gjyqësor që do të reduktonin pavarësinë e prokurorëve dhe do të hiqnin disa vepra korrupsioni nga kodet penale.

Lëvizjet nxitën protestat më të mëdha të Rumanisë që nga rënia e komunizmit dhe kanë tërhequr vërejtje nga Brukseli dhe partnerët e tjerë të huaj, si Shtetet e Bashkuara.

Rumania është planifikuar të marrë përsipër presidencën gjashtëmujore të Këshillit Europian më 1 janar 2019 dhe do të përballet me tri sfida të rëndësishme – Brexit, zgjedhjet europiane dhe kalimin në një Komision të ri Europian.

Iohannis gjithashtu tha se Rumania do të kërkojë zgjerimin e mëtejshëm të bllokut europian, pasi “madhësia nënkupton fuqi” në politikën aktuale globale.

Më 9 maj 2019 Rumania do të presë samitin e parë të liderëve europianë pasi Britania të largohet nga BE-ja./BIRN

Bota Klaus Iohannis presidenti i Rumanisë