Aktualitet 5 Prill 2018, 19:05

Zv/Kryeministrit të Kosovës Fatmir Limajt i vijojnë hetimet për korrupsion në Rrugën e Kombit dhe për krime lufte në UCK

Shkruar nga Pamfleti

Fatmir Limaj i është nënshtruar një procesi gjyqësor, gati tetëvjeçar, për krim e korrupsion. Më parë ishte  shpallur i pafajshëm edhe për akuzat e krimeve të luftës së Kosovës nga një gjykatë ndërkombëtare. Ndërkohë, Zëvendëskryeministrit i ka mbetur edhe një aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale për krime të luftës.

Në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër në atëkohë e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limajt, nën dyshimet se ka kryer krime të luftës kundër popullatës civile.

Fatmir Limaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Kleçkës në rajonin e Malishevës, aktualisht zëvendësministër i Kosovës dhe kryetar i partisë Nisma për Kosovën, ishte shpallur më 2007 i pafajshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime në ish-Jugosllavi.

Përkundër kësaj, Prokuroria e ngriti aktakuzën kundër tij për rastin e dy civilëve të vrarë në luftë: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë nga Komuna e Malishevës.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se Fatmir Limaj si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Pas shpalljes së kësaj aktakuze atë kohë, Limaj pati thënë se për këtë rast është hetuar dy herë më parë, nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës. Në të dyja rastet, siç tha ai, në mungesë të provave, janë mbyllur këto hetime.

Arsyetimi i Prokurorisë lidhur me këtë rast ishte se vrasjet e dy civilëve kanë ndodhur në territorin për të cilin Prokuroria pretendonte se në atë kohë ka qenë territori i Brigadës 121 të UÇK-së.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Letra e urdhrit për ekzekutimin e këtyre dy civilëve më datë 2 nëntor 1998.

Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi u ekzekutuan në hyrje të fshatit Kravasari. Letra, e cila mbanë emrin e UÇK-së dhe fillon me “Në emër të popullit, shpall këtë Fletë ekzekutim”, ka shpallë tradhtar të kombit Ramiz Hoxhën.

…i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje”, thuhet në aktakuzën e ngritur në tetor të 2016-ës. Për këtë akuzë, deri tani është mbajtur vetëm seanca e leximit fillestar në janar të këtij viti.

Në shkurt të vitit 2003, Fatmir Limaj u arrestua në Slloveni me urdhër të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte. Me ta, Limaj u ballafaqua për tre vjet dhe në fund u shpall i pafajshëm për veprën penale për të cilën ngarkohej, për krime të luftës gjatë viteve 1998/99.

Dhjetë vjet më vonë, një tjetër aktakuzë iu ngrit Limajt nga EULEX për krime lufte, përfshirë dhënien e urdhrit për vrasjen e dy policëve serbë të zënë rob në fshatin Kleçkë.

Për këtë rast, në maj të këtij viti, Gjykata Supreme e Kosovës e liroi Limajn nga akuzat për krime lufte.

Fatmir Limaj gjithashtu akuzohet për korrupsion gjatë kohës kur ishte ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës, tashmë Ministria e Infrastrukturës. Gjatë mandatit të tij 3 vjeçar në vitet 2008-2011 në këtë ministri, Limaj nënshkroi kontratën për Rrugën e Kombit: Morinë-Prizren-Prishtinë-Merdarë që lidhet me pjesën e përfunduar të autostradës në Shqipëri. Hetimet për korrupsion në Rrugën e Kombit vijojnë, edhe pse Fatmir Limaj në këtë koalicion qeverisës në Kosovë ka postin e Zv/Kryeministrit.

 

Aktualitet Fatmir Limaj Korrupsion Krime Lufte rruga e Kombit