
Zyrtare/ Vllaznia rikthen Bekim Balajn në shtëpi, shkodranët fitojnë duelin me 2 ekipet e kryeqytetit
Bekim Balaj është futbollisti i ri i Vllaznisë. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare është kthyer përsëri në Superiore dhe ka firmosur me klubin ku nisi karrierën e tij.
Sulmuesi shkodran ishte larguar nga skuadra e Keçiorengyçy në kampionatin turk dhe ishte në kërkim të një aventure të re. Për 32-vjeçarin u interesuan menjëherë ekipet e Superiores me Vllanzinë, Partizanin dhe Tiranën, të cilat nisën kontaktet me të. Por në fund duket se ka mbizotëruar dëshira për të luajtur edhe një herë me ekipin e Mirel Josës, fanelën e të cilit ka veshur në fillimet e karrierës deri në vitin 2010.
Zyrtarizimi i marrëveshjes u bë nga klubi i Vllaznisë me një postim në rrjete sociale, ku Balaj shfaqej përkrah drejtorit sportiv Miloti dhe presidentit Xhaferi.
“Klubi i Futbollit Vllaznia, në përmbushje të objektivave sportivë, njofton se ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit për 3 sezone sportive, me lojtarin e Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj”, shpjegonin shkodranët, duke bërë të qartë se Balaj do të bëhej pjesë e tyre për një periudhë afatgjatë.