Christian Schmidt raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU, ka reaguar në profilin e tij në rrjetet sociale, duke theksuar se është e rëndësishme që në Shqipëri, qeveria të mos bëjë veprime të njëanshme me ndryshimin e kushtetutës dhe heqjen e të drejtës për koalicione parazgjedhore.
Schmidt duke iu referuar marrëveshjes së arritur më 5 qershor mes partive politike, ish-ministri në qeverinë e kancelares Merkel, e konsideron këtë pakt një sukses të madh që forcon demokracinë në Shqipëri.
Schmidt shkruan ndër të tjera në postimin e tij se “Partia Socialiste po tenton ndryshime jashtë marrëveshjes: heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. “Për të favorizuar vetveten?”.
“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten?
Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to.
Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”- shkruan raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag.
Më herët edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe SHBA i kërkuan qeverisë të mos tentojë ndryshimet kushtetuese, pa gjithëpërfshirjen dhe konsensusin e opozitës.