Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka theksuar nevojën për një armëpushim si hap të parë drejt nisjes së negociatave të drejtpërdrejta me Izraelin, gjatë një takimi me ministrin britanik për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer.
Ai u shpreh se Libani është i gatshëm të ndalë përshkallëzimin e situatës në jug dhe në të gjithë territorin e vendit, duke kërkuar njëkohësisht ndalimin e sulmeve ndaj civilëve.
Në një deklaratë publike, Aoun theksoi se negociatat do të zhvillohen vetëm nga autoritetet libaneze, pa ndërhyrje të palëve të tjera.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme e tij ishte tërheqja e forcave izraelite nga territoret libaneze, si një kusht për forcimin e armëpushimit dhe rivendosjen e kontrollit nga ushtria libaneze deri në kufijtë ndërkombëtarë.
“Tërheqja e forcave izraelite nga territoret libaneze është një hap thelbësor për të konsoliduar armëpushimin nga njëra anë dhe për të rivendosur ushtrinë libaneze deri në kufijtë ndërkombëtarë”, tha ai.
Ndërkohë, është raportuar se mund të zhvillohet një komunikim mes Aoun dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, megjithatë nuk ka ende konfirmim zyrtar nga palët.
Lini një Përgjigje