Bota12 Shkurt 2024, 22:06

Rishi Sunak drejt rrëzimit, komplot brenda konservatorëve për ta zëvendësuar brenda majit!

Shkruar nga Katy Balls
Rishi Sunak drejt rrëzimit, komplot brenda konservatorëve për ta
Sunak

Aleanca Konservatore e Britanisë - një grup donatorësh anonimë - ka shpenzuar tashmë dhjetëra mijëra paund në realizimin e sondazheve që synojnë ta portretizojnë Sunak si varrmihësin politik të partisë në zgjedhjet e ardhshme.

Westminster dhe ambientet e tij rreth e rrotull, kanë qenë gjithmonë një terren pjellor për komplotistët. Atje kanë gatuar komplotet për të rrëzuar Margaret Thatcher, Tony Blair, Gordon Brown apo së fundmi Boris Johnson. Tani që kryeministri aktual i Britanisë së Madhe Rishi Sunak renditet më dobët në sondazhe se çdo kryeministër në një vit elektoral, është e pashmangshme që ai të mos jetë objektiv i një komploti të ri.

Konservatorët janë shndërruar në partia e mbret-vrasësve. Zëvendësimi i Liz Truss u krye me shpejtësi rekord. Kur gjërat shkojnë keq, konservatorët e ndryshojnë udhëheqësin e tyre. Ky është një refleks natyral i kësaj partie. Për shumë njerëz, ideja për të larguar Sunak nga detyra është një çmenduri.

Zgjedhjet e reja parlamentare janë vetëm disa muaj larg, laburistët janë 20 për qind përpara në sondazhe, dhe linja kryesore e sulmit të këtyre të fundit është se konservatorët janë një turmë grindavecësh që shajnë dhe ndyjnë njëri-tjetrin.

Deputeti i vetëm që në fillim të këtij viti bëri thirrje për largimin e Sunak - besniku i fraksionit të zonjës Truss, Simon Clarke - u sulmuat ashpër nga kolegët e tij. “Ai e ka bashkuar partinë duke nxitur kundërshtinë ndaj tij”- thotë një ish-ministër i kabinetit.

Por logjika e Clarke - që një parti në krizë duhet të ndryshojë kurs - ka pasur ndikim tek disa anëtarë, ish-ndihmës të qeverisë por edhe donatorë të zhgënjyer të konservatorëve. Sondazhet aktuale, flasim për një rënie drastike të konservatorëve dhe për një shumicë prej 250 vendesh për laburistët.

Në këto kushte ata pyesin: Çfarë kemi për të humbur? Për këtë arsye tani është formuar një grup komplotistësh që synojnë të zëvendësojnë Sunak me udhëheqës që mund ta çojnë partinë në një bazë më të sigurt në lidhje me problemin e migracionit të paligjshëm. “Ne nuk jemi një grupim homogjen. Njerëz të ndryshëm mendojnë se Rishi nuk po punon si duhet. Dhe në mënyrë të pashmangshme ka diskutime për zëvendësimin e tij”- më thotë një nga figurat politike konservatore që është pro këtij ndryshimi.

Në vend se të takohen në një bar apo restorant, siç është e zakonshme për komplotet e Westminster-it, komplotistët kanë punuar nga një zyrë në West End. “Lëvizja po mbledh shumë fonde, edhe nëse shumë njerëz të afruar me ne mendojnë se është një lëvizje e çmendur”- thotë një figurë brenda konservatorëve.

Aleanca Konservatore e Britanisë - një grup donatorësh anonimë - ka shpenzuar tashmë dhjetëra mijëra paund në realizimin e sondazheve që synojnë ta portretizojnë Sunak si varrmihësin politik të partisë në zgjedhjet e ardhshme. Një figurë e njohur pranë konservatorëve, Robert Hayward, denoncoi një sondazh të fundit të YouGov, që u pagua nga një sponsor i paidentifikuar i njohur për makinacione të ngjashme në Zimbabve.

Ai akuzoi komplotistët se kanë “portofolin plot”, por se nuk janë “demokratë”. “Qeveria thotë se nuk shqetësohet nga ne. Por kanë kaluar vetëm 4 javë dhe njëri prej tyre po na krahason me Zimbabven”- thotë një figurë e përfshirë me aleancën e rebelëve.

Në Downing Street 10 këto zhvillime po shihem me shumë shqetësim. Një teori pretendon se ka një bashkim të donatorëve të Brexit, që nuk u afruan asnjëherë me Sunak. Besnikët e qeverisë po përpiqen të zbulojnë nëse lëvizja ka ndonjë lidhje me Nigel Farage. Ata kanë nisur një gjueti të ethshme për “idiotët e dobishëm” në radhët e konservatorëve.

Disa figura pranë Sunak, besojnë se të gjitha rrugët duhet të çojnë sërish tek një rrugë e mesme kompromisi, sepse edhe konservatorët më të pabesë duhet ta kuptojnë se është çmenduri të “lëkundësh” varkën gjatë një stuhie të tillë. Disa ish-ndihmës të qeverisë (madje disa me paga shumë të larta) po punojnë për një fushata dezinformimi për ta dëmtuar Sunak.

Komplotistëve u është bashkuar edhe Will Dry, ish-sondazhisti i kryeministrit që dha dorëheqjen nëntorin e vitit të kaluar, dhe që kohët e fundit paralajmëroi se partia “po shkon drejt humbjes më të rëndë në histori”. Pastaj në këtë grupim është edhe Dougie Smith, një ndërmjetës i vjetër midis rrymave të ndryshme në këtë parti, që e telefonoi Johnson-in për t’i thënë: “Unë do të të rrëzoj!”.

Komplotuesit i shohin 100 ditët e ardhshme, nga tani deri në zgjedhjet lokale të majit, si periudhën kur ata duhet të bindin anëtarët se është koha për një shkundje të fortë. “Kjo duhet të bëhet brenda dy javëve pas zgjedhjeve lokale. Udhëheqësi nuk mund të ndryshohet më vonë se maji”- thotë një nga komplotistët .

Disa nga ata që po përpiqen të largojnë Sunak nga detyra, thonë privatisht se nëse nuk ka lëvizje deri në maj, ata do të heqin dorë për të mos shkaktuar probleme afër zgjedhjeve parlamentare. Por për shumë analistë, kjo skemë duket shumë amatore. “Nëse je i përfshirë në një komplot, atëherë nuk ua tregon të gjithëve”- thotë një burim brenda konservatorëve.

Disa ish-strategë të partisë janë joshur të bëhen pjesë por kanë refuzuar. Lëvizja nisi si një diskutim mbi politikat aktuale, teksa rebelët u mblodhën për të diskutuar se si ta detyronin qeverinë të merrte një qëndrim më të ashpër ndaj ligjit mbi dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë.

Megjithatë, kur Sunak refuzoi të ndryshonte qasje dhe zgjodhi të përballej me rebelët, biseda kaloi me shpejtësi në ndryshimin e udhëheqësit. Ky grupim ka arritur në përfundimin se kryeministri ka braktisur idetë kryesore mbi frenimin e emigrantëve ilegalë dhe Brexit (të cilët do të nevojiteshin për të fituar sërish zgjedhjet), dhe po tërhiqet në një zonë rehatie të epokës së Cameron.

Çështja që ka më shumë rëndësi për votuesit pro Brexit është emigrimi i paligjshëm, dhe më pak se një e katërta i besojnë Sunak-ut. “Votuesit nuk janë idiotë. Rishi na ka drejtuar drejt një forme konservatorizmi të zbutur”- ankohet një ish-ministër. “Askush nuk mendon se ne mund të fitojmë. Por të paktën të mos humbasim shumë thellë”- thotë ai.

Shpresa e konservatorëve është për një rikuperim të shpejtë, pra vetëm një mandat në opozitë. Por siç thotë Dry, ekziston frika se “Partia Konservatore do të jetë shpërbërë deri në Krishtlindje”. Komplotuesit kanë disa ide për atë që duhet të bëjë në javën e tij të parë një udhëheqës tjetër i ri: të forcojë ligjin kundër zbarkimeve të paligjshme me varka; të lehtësoje rekrutimin e mjekëve të rinj për t’i dhënë fund grevave; dhe të ashpërsojë Kodin Penal.

Zgjedhjet lokale në maj do të jenë të dhimbshme për konservatorët. Disa rebelë mendojnë se Sunak mund të bindet të tërhiqet vërtetë nëse rezultati do të jetë shumë i dobët. Mund të pasojnë zgjedhje të shpejta për lidershipin e tij, të cilat nuk zgjasin më shumë se një javë.

Por kush do të pasojë?

“Çdokush do të ishte më i mirë se Sunak. Ai është kryeministri më i keq që ka pasur ndonjëherë vendi”- thotë një nga rebelët. Robert Jenrick, dikur miku më i mirë i Sunak në politikë, dha dorëheqjen si Ministër i Emigracionit në shenjë proteste ndaj atij që ai e konsideron si një projektligj të dobët mbi dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë. Tani ai po synon që ta risjellë në skenë të njëjtin debat për të ardhmen e partisë.

Ai do të shkojë këtë javë SHBA për të vizituar kufirin jugor me Meksikën si i ftuar i guvernatorit të Teksasit, për të parë se çfarë mësimesh mund të mësohen në lidhje me trajtimin e migracionit të paligjshëm. Po ashtu ekziston një plan që Jenrick dhe Neil O’Brien (një aleat i Badenoch) të bëhen bashkë për të publikuar manifestin e tyre mbi atë që konservatorët duhet të bëjnë mbi çështjen e emigrimit të ligjshëm.

Procedura standarde për t’u përballur me rebelimet politike, është të përjashtohen të gjithë ata që janë përfshirë në të, duke shpresuar se do të jetë më e vështirë që ata ta të shkaktojnë telashe kur janë të demaskuar.

Por fakti që deri tani komplotistët nuk kanë numra, plane apo një kandidat zëvendësues është vetëm një ngushëllim i lehtë, duke qenë se synimi i tyre i qartë është t’i shkaktojnë sa më shumë probleme kryeministrit aktual. “Është një dhunë e pakuptimtë, megjithatë mbetet ende e tillë”- ankohet në kushte anonimiteti një aleat i Sunak.

Mesazhi që dëshiron t'u dërgojë anëtarëve qeveria, nuk është se kryeministri është një aset që duhet të mbrohet, por se lufta e brendshme është fatale për Partinë Konservatore. “Kjo nuk do të kalonte pa zhurmë”- paralajmëron një figurë e lartë e qeverisë britanike.

Kjo ishte motoja që dominoi në darkën e javës së kaluar me deputetët konservatorë të mbajtur në një hotel të njohur në Londër. Ishin ftuar të 349-të deputetët aktualë, dhe në të morën pjesë pak më shumë se gjysma. Sondazhist Isaac Levido përsëriti paralajmërimin e tij se partitë e ndara dështojnë.

“Ishte një atmosferë e mirë, por kryeministri duhet të shqetësohet që gati gjysma e deputetëve nuk mori pjesë në darkë”- thotë një përfaqësues i konservatorëve. Moderatori i platformës së debateve LBC, Nick Ferrari, i cili ishte i ftuar special në atë darkë, u përcolli të pranishmëve mesazhin që ai tha se kishte marrë nga mijëra dëgjues me të cilët kishte folur: votuesve u kanë ardhur në majë të hundës zënkat brenda shumicës. Megjithatë, kur kanë mbetur edhe 100 ditë deri në zgjedhjet lokale, do të ketë me siguri edhe shumë të tjera. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Spectator”