
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
U vra në krye të detyrës
Efektivi Enea Mekolli shpallet Dëshmor i Atdheut
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me ngjarjen në Maliq, ku u vranë një efektiv dhe u plagos një tjetër. Rama i uron shërim të shpejtë efektivit të plagosur Edison Adri 36 vjeç ndërsa kërkon dënimin maksimal për autorin.
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka kërkuar mbajtjen e 1 minutë heshtje për rënien në krye të detyrës së efektivit të policisë së shtetit Enea Mekolli. Mekolli, njoftoi Balla është shpallur dëshmor i atdheut.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte në fshatin Lozhan të Maliqit, ku një person i shpallur në kërkim hapi zjarr ndaj forcave të policisë gjatë një operacioni për kapjen e tij. Nga përplasja mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa polici Edison Adri u plagos rëndë në fyt.
Mëngjesin e sotëm, në operacion morën pjesë efektivë të forcës së posaçme "Shqiponja" dhe oficerë të Policisë Kriminale. Gjatë ndërhyrjes për kapjen e tij, forcat e policisë i kanë bërë thirrje Braçellarit të dorëzohej.
Burime për "Pamfleti" bëjnë me dije se efektivi Enea Mekolli ka qenë një nga policët më pranë autorit në momentet e operacionit. Duke përfituar nga njohja e terrenit dhe ambientit përreth banesës, Braçellari dyshohet se ka gjetur momentin e përshtatshëm për të hapur zjarr ndaj efektivëve.
Sipas të njëjtave burime, Enea Mekolli është goditur i pari me një plumb në kokë, plagë që rezultoi fatale. Pas tij është qëlluar edhe efektivi Edison Adri, i cili ka marrë një plumb në zonën e fytit, duke mbetur i plagosur rëndë.
Menjëherë pas ngjarjes, Edison Adri është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar. Raportohet se gjendja e tij paraqitet e rëndë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe vetë autori i dyshuar, i cili ka marrë një plumb në bark. Më pas ai ka hedhur armën e zjarrit dhe është dorëzuar para forcave të policisë.
“Nuk ndalet!”, Rama sfidon protestuesit
The Guardian: Pakënaqësia ndaj Kryeministrit, jo ndaj Ivankës
Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë protestave që zhvillohen në Tiranë nga grupet që mbrojnë mjedisin, por edhe mijëra të rinj. The Guardian i ka kushtuar një kryeartikull zhvillimeve në Tiranë, teksa mbrëmjen e së mërkurës u mbajt protesta e 4 rradhazi, ndërsa policia tentoi të pengojë tubimin duke vendosur barriera në bulevardin Dëshmorët e Kombit, por edhe duke hedhur ujë me presion ndaj protestuesve.
Media britanike shkruan se protestat kundër projektit të resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha në Shqipëri, ndërsa përplasja mes qeverisë, organizatave mjedisore dhe banorëve lokalë po thellohet.
Mijëra protestues u mblodhën në Tiranë për të tretën ditë radhazi, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të projektit që parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me vlerë 1.6 miliardë dollarë në një nga zonat më të ndjeshme ekologjikisht të Mesdheut. Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të shtrihen edhe në jug të vendit, pranë zonave ku kanë nisur punimet paraprake.
Në mesin e protestuesve u panë flamingo të fryra, të përdorura si simbol i rrezikut që sipas aktivistëve i kanoset biodiversitetit të rajonit. Shumë prej tyre mbanin pankarta me slogane kundër privatizimit të zonave të mbrojtura dhe kërkonin transparencë mbi procedurat e ndjekura për miratimin e projektit.
Rama reagon për Zvërnecin
Shihni në çfarë gjendje është tradhtia ime 4 miliardëshe
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar sërish për protestat për Zvërnecin.
Shefi i qeverisë ka postuar një video që thotë se i është dërguar nga një banor i Vlorës, ku pretendohet se zona ku planifikohet të bëhet ndërtimi i resortit në Zvërnec është një zonë që është lënë në kushte të këqija dhe se investimi prej 4 miliardë do të sillte të mira për zonën, teksa tregon një grumbull mbeturinash.
Rama akuzon edhe kundërshtarët e projektit se po përpiqen të pengojnë një investim që, sipas tij, do të transformojë Vlorën dhe do ta ngrejë Shqipërinë në një nivel më të lartë të turizmit ndërkombëtar.
Projekti për Zvërnecin ka ngjallur revoltë në opinionin publik ku protesta e parë nisi në Zvërnec dhe më pas protestat morën përmasa më të mëdha edhe për shkak të dhunimit të një prej protestuesve nga policia private.
Dje në sheshin përpara Kryeministrisë u zhvillua protesta e katërt. Kjo protestë është shoqëruar me përplasje të qytetarëve me forcat e rendit.
Nga ana tjetër, prej ditësh ka pasur edhe reagime të herë pas hershme nga vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili thotë ky projekt është i jashtëzakonshëm për turizmin e Shqipërisë.
Igli Tare zyrtarisht i pandehur
SPAK i komunikon akuzën për pastrim parash
Igli Tare, ish-futbollist i kombëtares kuqezi, është marrë i pandehur nga SPAK. Tare u paraqit në Prokurorinë e Posaçme paraditen e së enjtes, ku edhe iu komunikua akuza e pastrimit të parave. Ishte prokurori Dritan Prençi, i njëjti që po zhvillon hetimet lidhur me ish-zv.Kryeministren, Belinda Balluku që i ka komunikuar akuzën Tares.
SPAK nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me çështjen, por disa ditë më parë, u mor në pyetje edhe vëllai i tij, Agron Tare. Ky i fundit ka qenë drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Agron Tare u pyet nga SPAK me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.
Igli Tare prej vitesh jeton në Itali, ndërsa ai ka mbajtur funksione drejtuese në klubin e Lazios dhe Milanit, ku së fundmi është shkarkuar nga kuqezinjtë. Tare nuk ka mbajtur funksione shtetërore në Shqipëri por emri i tij u përfshi në hetimet e thelluara që Prokuroria Speciale nisi ndaj ish-zv.Kryeministres, duke kaluar në sitë pasurinë e saj.
Tare fillimisht u thirr për të dëshmuar, pasi konsiderohej nga Prokuroria Speciale, si person kyç për hetimin, veçanërisht në aspektin e verifikimit të pasurisë së ish-zv.Kryeministres. Thirrja e tij për të dëshmuar u parapri nga disa kontrolle që hetuesit e BKH-së ushtruan ndaj personave të lidhur ose disa biznesmenëve, sa i takon dosjes "Balluku".
SPAK e thirri dy herë Igli Taren, por ish-futbollisti i kombëtare për shkak të qëndrimit jashtë vendit, herën e parë nuk u paraqit.
Hetimi mbetet në zhvillim, ndërsa SPAK po zgjeron verifikimet për të zbardhur lidhjet dhe përgjegjësitë e mundshme në dosje.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje