
Disa udhëheqës sillen si autokratë, ata manipulojnë popullin, zgjedhjet nuk janë të drejta dhe të lira, dhe s’ka asnjë përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Një nga kërcënimet kryesore për rajonin, është sjellja e udhëheqësve të disa vendeve, si Serbia, Shqipëria dhe Bosnja. Atje udhëheqësit sillen si autokratë, manipulojnë popullin, zgjedhjet nuk janë të drejta dhe të lira, dhe s’ka asnjë përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore...
Kryeredaktor i Osservatorio Balcani, Luka Zanoni, flet për zhvillimet politike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe hipokrizinë e politikës së BE-së ndaj Evropës Juglindore, duke përmendur protestat studentore në Serbi si një pikë kthese e mundshme.
Cilat janë sipas jush kërcënimet kryesore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor?
Unë besoj se për fat të keq, kërcënimet më të mëdha vijnë nga brenda, dhe jo nga jashtë. Është e vërtetë se ekzistojnë edhe ndikime të jashtme, të ushtruara nga fuqi të mëdha, si Kina, Rusia dhe Turqia, të cilat konsiderohen zakonisht si vende me shumë ndikim, të afta për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, nuk besoj se ato janë kërcënimet e vetme për stabilitetin e rajonit. Për mendimin tim, kërcënim mund të jenë nganjëherë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Pra edhe Perëndimi mund ta destabilizojë Ballkanin. Unë nuk mund ta konsideroj Donald Trumpin një faktor stabiliteti.
Ashtu siç besoj se tendenca e BE-së për të injoruar protestat në Serbi, mund të shihet si një faktor që nxit paqëndrueshmërinë. Por unë besoj se një nga kërcënimet kryesore është sjellja e udhëheqësve të disa vendeve, si Serbia, Shqipëria dhe veçanërisht Bosnja dhe Hercegovina.
Disa udhëheqës sillen si autokratë, ata manipulojnë popullin, zgjedhjet nuk janë të drejta dhe të lira, dhe s’ka asnjë përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore. Faktori kryesor i destabilizimit ndoshta mbetet nacionalizmi, i cili për fat të keq jo vetëm që nuk është mposhtur, por duket se po përhapet edhe në vendet anëtare të BE-së.
Së fundmi, ndër faktorët e paqëndrueshmërisë do të veçoja rënien demografike në rajon. Ne e dimë se prej 10 vjetësh, shumë njerëz janë larguar nga Ballkani për arsye të ndryshme. Por kushdo që vendos të emigrojë, veçanërisht të rinjtë dhe të arsimuarit, mendojnë se rajoni nuk po ndryshon dhe nuk ofron asnjë perspektivë.
Si e komentoni situatën aktuale politike në Bosnje Hercegovinë?
Situata aktuale politike në Bosnje është katastrofike. Por për fat të keq kjo nuk përbën lajm. Ky vend, është peng i etno-politikës dhe korrupsionit. Bosnja nuk po përparon, dhe unë nuk e di se
si do të dalë nga kjo situatë. Mbi 10 vjet më parë, shpresonim që i ashtuquajturi ‘Bebolucija’ (Revolucion i Foshnjave) dhe zhvillimet që e pasuan, mund të ishin një pikë kthese.
Mjerisht, ajo pikë kthese nuk u materializua kurrë plotësisht. Në Republikën Srpska, pamë protesta për vdekjen e David Dragičević, të cilat patën jehonë në Federatë. Qytetarët dukeshin të gatshëm të ngrinin zërin e tyre, por unë besoj se vendi është shumë i përçarë në ato që ne i quajmë “etno-pole”, ndaj nuk mund të jetë funksional.
Marrëveshja e Dejtonit ishin e mirë 30 vjet më parë. Siç dihet ajo përmban edhe Kushtetutën e Bosnje Hercegovinës, e shkruar fillimisht në anglisht. Unë besoj se është koha për ta reformuar sistemin e Dejtonit, sigurisht jo drejt ndarjes dhe shpërbërjes, por për të konsoliduar shtetin, pavarësisht grupimeve etnike.
Qytetarët janë qytetarë pavarësisht nga etnia. Ata duhet të respektohen, të kenë qasje në punë dhe arsim si qytetarë të këtij vendi, dhe në këtë kuptim ata duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat.
Lufta mbaroi 30 vjet më parë. Nuk është koha për të ngritur sërish armët, por për ta mbyllur atë kapitull, dhe për të ecur përpara. Midis grupeve etnike në Bosnje Hercegovinë (ka më shumë se tre) ka më shumë ngjashmëri se sa dallime.
A mendoni se BE-ja është ende një aktor i besueshëm në rajon? Dhe mund të flitet ende për një perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor?
BE-ja mund të jetë një aktor i besueshëm në rajon. Por ajo duhet të ketë një qëndrim më transparent, të braktisë stabilokracinë, të kundërshtojë zhvillimet që shfrytëzojnë burimet lokale, dhe të shmangë politikën e standardeve të dyfishta.
Deri para pak vitesh, besohej se paratë mjaftonin për të garantuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Por realiteti doli krejtësisht ndryshe. Për procesin e pajtimit u këmbëngul për një kohë të gjatë, por më pas u bë e qartë se pajtimi pas konfliktit s’mund të imponohet nga jashtë.
Për një fare periudhe, zgjerimi drejt Lindjes dukej se ishte në rendin e ditës, por sot jemi larg entuziazmit që ndihej në samitin e Selanikut në vitin 2003. Pasi Kroacia iu bashkua BE-së, procesi i zgjerimit ngeci, deri në pushtimin rus të Ukrainës. Vetëm atëherë BE-ja u zgjua dhe i dha statusin e kandidatit Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, por s’mundi ta linte mënjanë Bosnje Hercegovinën.
Por statusi i kandidatit nuk ka shumë domethënie, është një gjest thjesht simbolik. Siç qëndrojnë gjërat sot, nuk ka gjasa që Bosnja të bëhet anëtare e plotë e BE-së. Rruga e saj drejt BE-së është ende shumë e gjatë. Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet të kthehet te parimet e saj themelore: të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, etj.
Sepse edhe vetë BE-ja duket pak e përhumbur. Kur themi BE, duhet të sqarojmë se çfarë nënkuptojmë, sepse ka nivele të ndryshme qeverisjeje. Po flasim për 27 shtetet anëtare, Komisionin Evropian apo Parlamentin Evropian?
Edhe Ursula von der Leyen përfundoi në gjykatë për shkak të skandalit Pfizergate, pikërisht sepse sjellja e saj si presidente e Komisionit Evropian nuk ishte transparente. Kur BE-ja nuk i dëgjon qytetarët serbë që dalin masivisht në rrugë për të protestuar, kur nuk e kupton ose injoron faktin se presidenti serb po e mban peng të gjithë vendin, kur nuk reagon ndaj situatave të ngjashme në biznese të caktuara (mendoj veçanërisht për litiumin) ose kur i sheh udhëheqësit si Vuçiç si një faktor stabiliteti (për hir të stabilokracisë), në këto raste ajo ka pak besueshmëri, pikërisht për shkak të standardeve të saj të dyfishta.
Si e shihni rolin e Rusisë, Kinës dhe Turqisë në Ballkanin Perëndimor? A janë ata partnerë thjesht pragmatikë, apo mund të ushtrojnë një ndikim gjeopolitik më të madh?
Nuk mendoj se sot mund të flasim për partnerë thjesht pragmatikë. Sigurisht, këto vende sillen si partnerë pragmatikë. Pra ndërtojnë infrastrukturë, ofrojnë ndihmë, por asgjë nuk është falas. Të gjitha këto vende kanë edhe ndikim gjeopolitik. Secili ka interesat e veta në rajonin e Ballkanit. Prandaj BE-ja duhet të jetë e kujdesshme se si sillet dhe të ruajë besueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, sepse ka konkurrentë. Sigurisht, vendi i Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së, por nëse zgjerimi mbetet vetëm në letër, atëherë u jepet më shumë hapësirë vendeve të tjera për të ndikuar edhe mbi politikën lokale.
A po i ndiqni protestat e studentëve në Serbi?
Po, sigurisht. Besoj se në Serbi po ndodh diçka serioze dhe e rëndësishme, që mund të shërbejë si shembull për vendet e tjera, dhe jo vetëm në Ballkan. Serbia ka protestuar për dekada të tëra, nga viti 1991, vitet 1996-1997, pastaj më 5 tetor 2000, pastaj Savamala, pastaj protestat pas masakrës në shkollën “Ribnikar”, ato kundër kompanisë Rio Tinto etj.
Pra ekziston një traditë e gjatë protestash kundër pushtetit. Megjithatë, në të kaluarën, asnjë nga këto mobilizime, nuk ka arritur ta dobësojë ndjeshëm regjimin. Tani situata duket ndryshe. Një aspekt kurioz dhe pozitiv është se studentët po kërkojnë të njëjtën gjë që po i kërkon Serbisë edhe BE-ja. Prandaj është absurde që Brukseli nuk po i dëgjon studentët serbë./Përshtati "Pamfleti" nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje