TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Maj 2026, 09:10

Call center-i i mafies/ Si funksiononte “kompania” me bazë në Tiranë që grabiste grekët?

Shkruar nga Pamfleti
Call center-i i mafies/ Si funksiononte “kompania” me bazë
Ilustrim

Kishte 450 punonjës që flisnin shumë gjuhë dhe strukturë korporative, shtirreshin si këshilltarë investimesh dhe depozita fillestare ishte 500 euro. Si i zbuloi Europol?

Organizimi i paprecedentë, për një rrjet mashtrimi telefonik, me një strukturë të brendshme kaq të ndërlikuar dhe të gjerë (me 450 punonjës), që do t’i përshtatej vetëm një shoqërie të madhe aksionare, është elementi që e bën krejt të veçantë rastin e një zinxhiri call center-ash shqiptare. Tregues i kompleksitetit që karakterizon strukturën e këtij rrjeti kriminal është fakti se autoriteteve ligjzbatuese iu deshën dy vite të plota hetimi të thelluar për të arritur në çmontimin e organizatës dhe arrestimin e të paktën 10 të dyshuarve.

Mashtrimi

Rrjeti i mashtrimit, nga baza e tij në Tiranë, kishte shtrirë aktivitetin në vende të ndryshme të Europës, ndër të cilat edhe Greqia, shkruan Protothema në një artikull.

Edhe pse Europol dhe Eurojust nuk bëjnë publike detaje, si numri real i personave që ranë viktima të mashtrimit telefonik për investime në kriptomonedha, fitime të mëdha etj, është e sigurt se një pjesë e konsiderueshme e shumës prej 50 milionë eurosh që përfitoi rrjeti shqiptar vjen nga llogaritë bankare të qytetarëve grekë të mashtruar.

Metoda e veprimit të mashtruesve është tipike dhe, paradoksalisht, shumë e njohur, ndaj mbetet e pakuptueshme se si viktimat vazhdojnë të bien pre: telefoni celular i objektivit bie. Në ekran shfaqet një numër ose grek (me kodin +30) ose nga një shtet tjetër i besueshëm, si Belgjika apo Britania. Në të vërtetë, telefonata bëhet nga Tirana. Një zë i sjellshëm prezantohet si përfaqësues i një kompanie shumëkombëshe këshillimi investimesh. Premton fitime të menjëhershme dhe të mëdha, mbi të gjitha të sigurta.

Nëse viktima ka humbur tashmë para në investime të ngjashme, “këshilltari” pretendon se, nën udhëzimin e tij, jo vetëm do të rikuperohen paratë e humbura, por do të ketë edhe fitim shtesë. Sapo “investitori” bie në grackë, hapet rruga për zhvatjen e tij. Shpresa për të rikuperuar humbjet nga mashtrimet e mëparshme ka verbuar qindra grekë, të cilët hap pas hapi shtyhen të transferojnë fonde në një kompani gjoja të besueshme ndërkombëtare investimesh për blerje kriptomonedhash etj.

Call center-i i mafies/ Si funksiononte “kompania” me bazë

“Kafshimi” metodik

Organigrama e “ndërmarrjes” fillonte nga niveli më i ulët, “këshilltarët” ose “agjentët” e investimeve, pra ata që bënin kontaktet dhe gjenin viktima përmes telefonatave të rastësishme. Këta “gjuetarë” paguheshin me 800 euro në muaj, plus komision për rastet kur viktima transferonte para. Mashtruesit punonin në grupe prej 6–8 personash. Secili grup mbulonte një treg të caktuar, në varësi të gjuhës amtare të “këshilltarëve”.

Kështu, kishte grupe që komunikonin me viktimat në anglisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe, natyrisht, greqisht. Çdo grup ishte nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e një përgjegjësi, i cili raportonte te eprori i tij, drejtori i call center-it përkatës. Falë kësaj strukture klasike hierarkike, “ndërmarrja” e call center-ave shqiptare funksionoi me efikasitet për disa vite dhe arriti të zgjerojë aktivitetin e saj, siç dëshmohet edhe nga xhiroja totale prej 50 milionë eurosh.

Hapi i parë dhe vendimtar nga ana e viktimës ishte depozitimi i 500 eurove në një portofol digjital kriptomonedhash. “Këshilltarët” e rremë, të cilët përdornin pseudonime dhe kode, e konsideronin këtë transferim fillestar si sinjal të lirë për të “kafshuar” sipas dëshirës dhe pa asnjë kufi viktimat e tyre.

Denoncimet

Pavarësisht se mashtruesit besuan se kishin gjetur një burim të pashtershëm për shfrytëzim, në qershor 2023 u vu re një përqendrim i shtuar denoncimesh nga viktima të të njëjtit rrjet në zonën e Vjenës. Që atëherë nisi në thelb numërimi mbrapsht për çmontimin e rrjetit. Shërbimet kundër mashtrimeve kibernetike nga Austria dhe Shqipëria, në bashkëpunim të ngushtë me Europol dhe Eurojust, krijuan një grup operativ, i cili ndoqi nga afër aktivitetin e rrjetit të këshilltarëve të rremë të investimeve. Gjurmët digjitale çuan përfundimisht në kryeqytetin e Shqipërisë, në 3 godina zyrash dhe 9 banesa private, ku, përveç arrestimeve, u sekuestruan 443 kompjuterë fiks dhe 6 laptopë, 238 telefona celularë, pajisje ruajtjeje të të dhënave digjitale, si dhe 891,735 euro.

Për Europol, si dhe për çdo shërbim kombëtar apo ndërkombëtar kundër mashtrimeve elektronike, rrjeti shqiptar i call center-ave pritet të përdoret si shembull për studim dhe analizë: si një organizatë kriminale mund të strukturohet sipas modelit të një biznesi të ligjshëm, në zhvillim dinamik dhe shumë fitimprurës. /Përshtati Pamfleti/



 

call center shqiperia investigim

Lini një Përgjigje