Protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 51-të, ndërsa qytetarët kanë vijuar edhe këtë mbrëmje tubimin para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës aktuale politike.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit bënë thirrje për mobilizim më të madh qytetar, duke theksuar se revolta nuk është vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës politike, e cila sipas tyre ka humbur besimin e qytetarëve.
Një prej protestuesve akuzoi kryeministrin Rama se gjatë viteve në pushtet e ka kthyer Shqipërinë në një "tepsi për ta vjedhur", ndërsa tha se qytetarët po paguajnë pasojat e korrupsionit dhe keqqeverisjes.
"Rama e ka kthyer Shqipërinë në një tepsi për ta vjedhur. Sot në Parlament kemi njerëz me të shkuar kriminale, ndërsa qytetarët po largohen çdo ditë nga vendi. Kjo protestë nuk është vetëm kundër një njeriu, por kundër një sistemi që ka dështuar", u shpreh ai.
Protestuesit përsëritën se do të vijojnë tubimet edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre për ndryshim politik dhe luftë kundër korrupsionit.
Lini një Përgjigje